Në një moment kur politikat mjedisore po afrohen gjithnjë e më shumë me standardet e Bashkimit Europian, në rishikim po kalon edhe kuadri për mbrojtjen e biodiversitetit.
Ky draft i nxjerrë për konsultim synon të forcojë mënyrën si mbrohen ekosistemet dhe menaxhohet territori dhe kjo vjen si për ironi në të njëjtën kohë kur vendi është përfshirë në tensione dhe protesta që lidhen me zonat e mbrojtura.
Projektligji i rishikuar për biodiversitetin synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendas me acquis communautaire të BE-së dhe me angazhimet ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës dhe ekosistemeve.
Drafti fokusohet në forcimin e instrumenteve institucionale për monitorimin, mbrojtjen dhe restaurimin e habitateve natyrore, si dhe në rritjen e efektivitetit të mekanizmave të raportimit dhe zbatimit të politikave mjedisore.
Një nga shtyllat kryesore të dokumentit është përfshirja më e strukturuar e konceptit të “lidhshmërisë ekologjike”, i cili lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si planifikohet dhe zhvillohet territori.
Ky koncept nënkupton integrimin e korridoreve natyrore, rrjedhave ujore dhe zonave të fragmentuara të habitatit në proceset e vendimmarrjes, me qëllim ruajtjen e vazhdimësisë së ekosistemeve dhe lëvizjes së specieve.
Sipas draftit, këta elementë duhet të merren në konsideratë më sistematikisht në projektet e zhvillimit dhe planifikimit territorial, duke rritur nivelin e vlerësimit mjedisor.
Dokumenti parashikon gjithashtu forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e zonave natyrore.
Projektligji është pjesë e procesit të përafrimit me standardet e BE-së në fushën e mjedisit dhe klimës, duke reflektuar kërkesat për një qasje më të integruar në menaxhimin e burimeve natyrore./a.d
