Nga Leonard Veizi
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, vendi duhej të shkëputej jo vetëm politikisht nga e kaluara osmane, por të ndërtonte edhe institucionet e veta kombëtare. Një nga betejat më të ndërlikuara ishte ajo për një Kishë Orthodhokse shqiptare, që të administronte jetën e saj brenda shtetit shqiptar dhe të përdorte gjuhën shqipe në shërbesat fetare.
Për shekuj me radhë, ortodoksët shqiptarë kishin qenë pjesë e strukturave kishtare që drejtoheshin nga qendra jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pas vitit 1912, kërkesa për një Kishë të pavarur u bë pjesë e procesit më të gjerë të konsolidimit të shtetit. Në këtë përpjekje rol të rëndësishëm kishte luajtur edhe diaspora shqiptare, ndërsa një figurë qendrore ishte Fan Noli, i cili kishte përkthyer tekste liturgjike në shqip dhe kishte këmbëngulur për përdorimin e gjuhës shqipe në adhurim.
Më 10 shtator 1922, në Berat u mblodh Kongresi Kishtar, me përfaqësues të komuniteteve orthodhokse shqiptare. Punimet u zhvilluan në shkollën e Mangalemit dhe më 12 shtator Kongresi shpalli pavarësinë administrative të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. U miratua edhe një statut dhe u krijua një Këshill i Lartë që do të drejtonte përkohësisht Kishën.
Ky ishte një hap i madh, por jo ende fundi i betejës.
Nga pikëpamja kanonike, Kongresi kishte një problem të rëndësishëm: në të nuk kishte marrë pjesë asnjë episkop. Për këtë arsye, vendimet e tij nuk mund të konsideroheshin ende si njohje kanonike e Autoqefalisë. Kongresi e kuptonte këtë dhe e autorizoi Këshillin e Lartë të hynte në bisedime me Patriarkanën Ekumenike për njohjen zyrtare të Autoqefalisë.
Por rëndësia e Beratit nuk matet vetëm me atë që u arrit atë ditë. Matet edhe me atë që nisi prej asaj dite. Sepse një Kishë shqiptare nuk ishte thjesht çështje administrative. Ishte çështje identiteti. Në një vend ku gjuha, kultura dhe institucionet kombëtare sapo po konsolidoheshin, përdorimi i shqipes në kishë kishte një peshë të veçantë. Kongresi përcaktoi shqipen si gjuhë zyrtare të Kishës, ndërsa greqishtja do të vazhdonte të përdorej përkohësisht derisa të përktheheshin dhe botoheshin librat liturgjikë.
Në këtë pikë, historia e Kishës përputhet me historinë e shtetit shqiptar. Pavarësia politike kërkonte edhe pavarësi institucionale. Kjo nuk do të thotë se Kongresi i Beratit e bëri në mënyrë të menjëhershme Kishën kanonikisht autoqefale. Procesi do të zgjaste edhe 15 vjet. Pas shumë vështirësish dhe negociatash, më 12 prill 1937 Patriarkana Ekumenike dha Tomosin Patriarkal dhe Sinodik që njohu kanonikisht Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Pra, Berati i vitit 1922 ishte fillimi institucional i një udhe që do të përfundonte me njohjen kanonike të Autoqefalisë në vitin 1937. Dhe kjo është arsyeja pse Kongresi i Beratit duhet parë përtej një date në kalendarin kishtar.
Ishte një nga ato përpjekje të mëdha për të ndërtuar Shqipërinë si shtet të pavarur jo vetëm në kufijtë e saj politikë, por edhe në vetëdijen e institucioneve dhe të qytetarëve të saj. Shkëputja administrative nga varësitë e jashtme, vendosja e shqipes në jetën kishtare dhe krijimi i strukturave vendase ishin pjesë e së njëjtës përpjekje: që shqiptarët të mos kishin vetëm një shtet të pavarur në hartë, por edhe institucione që flisnin gjuhën e tyre.
Kjo ishte puna e madhe e atyre njerëzve. Ata nuk po ndërtonin vetëm një administratë kishtare. Po përpiqeshin të ndërtonin një Kishë shqiptare. Dhe në historinë e një kombi të vogël, që sapo kishte dalë nga një perandori shumëqindvjeçare, kjo nuk ishte aspak një çështje e vogël.
