Nga Leonard Veizi
Për miliona fëmijë në mbarë botën, Anastasia është princesha e filmit të animuar që kërkon identitetin e humbur. Historia e saj, e bërë e famshme nga filmi i The Walt Disney Company, mbështetet mbi një legjendë urbane sipas së cilës vajza më e vogël e familjes Romanov kishte shpëtuar mrekullisht nga masakra. Në ekran, njerëzit besnikë të kurorës e kërkonin mes rreziqeve, të bindur se trashëgimtarja e fundit e Rusisë ende jetonte. Ishte një rrëfim i mbushur me shpresë. Historia e vërtetë, megjithatë, ishte shumë më e errët…
…Në orët e para të 17 korrikut 1918, në bodrumin e Shtëpisë Ipatiev në qytetin e Jekaterinburg, u mbyll me gjak një epokë që kishte zgjatur më shumë se tre shekuj. Atje, larg syve të botës, bolshevikët ekzekutuan Carin Nikolla II, bashkëshorten e tij Aleksandra Fjodorovna, pesë fëmijët e tyre – Olga Romanova, Tatjana Romanova, Maria Romanova, Anastasia Romanova dhe trashëgimtarin e fronit, Aleksei Romanov – së bashku me katër shërbëtorët që nuk i kishin braktisur.
Ishte fundi brutal i dinastisë Romanov dhe, njëkohësisht, varrimi simbolik i Perandorisë Ruse.
Vetëm pak muaj më parë, Rusia kishte hyrë në vorbullën revolucionare. Pas Revolucionit të Shkurtit, Nikolla II ishte detyruar të abdikonte, ndërsa pas Revolucionit të Tetorit, bolshevikët e udhëhequr nga Vladimir Lenini morën pushtetin. Lufta civile kishte përfshirë vendin dhe Ushtria e Bardhë po afrohej drejt Jekaterinburgut. Për udhëheqësit revolucionarë, ekzistenca e familjes perandorake përbënte një rrezik: ajo mund të shndërrohej në flamurin rreth të cilit do të bashkoheshin kundërshtarët e regjimit të ri.
Vendimi ishte i pamëshirshëm: Romanovët nuk duhej të mbeteshin gjallë.
Natën fatale, familjes iu tha se do të transferohej në një vend më të sigurt. Ata zbritën në bodrum duke besuar se po prisnin automjetin e largimit. Në vend të tij, përballë tyre u rreshtua skuadra e ekzekutimit. Komandanti lexoi shkurt urdhrin dhe menjëherë shpërthyen të shtënat.
Por edhe vdekja nuk erdhi menjëherë. Plumbat u përplasën me diamantet dhe gurët e çmuar që vajzat kishin qepur fshehurazi në korse e në rroba, duke menduar se një ditë mund t’u duheshin për të shpëtuar. Ato bizhuteri, që duhej të ishin garanci për një jetë të re në mërgim, u shndërruan në një mburojë të përkohshme. Ekzekutorët, të hutuar nga fakti se disa prej vajzave ende merrnin frymë, përdorën bajonetat dhe qëlluan sërish nga afër derisa dhoma u pushtua nga heshtja.
Pikërisht kjo skenë kaotike ushqeu për dekada legjendën se Anastasia kishte mundur të shpëtonte. Në Europë dhe në Amerikë u shfaqën gra që pretendonin se ishin princesha e mbijetuar, më e njohura prej tyre Anna Anderson. Misteri vazhdoi deri në fund të shekullit XX, kur analizat e ADN-së mbi eshtrat e zbuluara pranë Jekaterinburgut vërtetuan se as Anastasia dhe as vëllai i saj Aleksei nuk kishin mbijetuar.
Historia rrallë i lë vend romantizmit. Ajo nuk njeh funde përrallash, por vetëm pasojat e zgjedhjeve njerëzore. Nata e 17 korrikut 1918 nuk ishte thjesht fundi i një familjeje mbretërore; ishte momenti kur revolucioni vendosi të fshinte me plumba jo vetëm një dinasti, por edhe simbolin e një bote të tërë që po shembej. Që nga ajo natë, Rusia nuk do të kishte më carë. Në vend të kurorës do të ngrihej drapri dhe çekani, ndërsa shekulli XX do të hynte në një nga kapitujt e tij më të përgjakshëm.
