Gjysmë shekulli pas hapit të Armstrongut, beteja nuk është më mes Tokës dhe Hënës, por mes faktit dhe komplotit
Nga Leonard Veizi
Më 21 korrik 1969, sipas Orës Universale, njerëzimi përjetoi një çast që nuk i përkiste më vetëm Shteteve të Bashkuara dhe as vetëm shkencës. Ishte fitorja e dijes, guximit dhe imagjinatës njerëzore mbi atë që deri atëherë dukej e pamundur. Kur Neil Armstrong zbriti shkallët e modulit hënor “Eagle” dhe shqiptoi fjalinë e pavdekshme – “Një hap i vogël për njeriun, një kërcim gjigant për njerëzimin” – nuk ishte thjesht një astronaut mbi pluhurin hënor. Ishte vetë qytetërimi që po provonte se kufijtë janë bërë për t’u kapërcyer.
Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i madh i kësaj ngjarjeje: sa më e madhe bëhet një arritje, aq më shumë shtohen ata që duan ta rrëzojnë.
Nëse ulja në Hënë ishte triumfi më i madh teknologjik i shekullit XX, teoritë që pretendonin se gjithçka ishte një mashtrim u bënë një nga fenomenet më të mëdha kulturore të të njëjtit shekull. Nuk konkurruan më NASA dhe Bashkimi Sovjetik. Filloi gara mes faktit dhe dyshimit.
Pyetja nuk ishte më: “A arriti njeriu në Hënë?”
Pyetja u bë: “Pse duhet ta besoj?”
Ky është ndryshimi thelbësor.
Historia ka njohur gjithmonë njerëz që kanë mohuar të pamundurën derisa ajo është bërë realitet. Disa mohonin sferën e Tokës. Të tjerë betoheshin se avioni nuk do të fluturonte kurrë. Edhe fotografia, kur u shpik, u quajt nga disa një mashtrim optik.
Por rasti i Hënës është ndryshe. Është ndoshta episodi i parë global ku teknologjia moderne dhe mosbesimi modern u përplasën ballë për ballë.
Argumentet e konspiracionit i dimë të gjithë. Flamuri “valëvitet”, ndonëse në Hënë nuk ka atmosferë. Nuk duken yje në fotografi. Hijet nuk janë paralele. Pamjet janë tepër perfekte. Dhe, sipas versionit më të famshëm të komplotit, regjisori Stenli Kubrik e paska xhiruar gjithçka në një studio sekrete në Nevada.
Problemi nuk është se këto pyetje u ngritën. Shkenca jeton me pyetjet.
Problemi është se, për shumë njerëz, pyetjet u kthyen automatikisht në përgjigje.
Në shkencë, pyetjet kërkojnë prova. Konspiracioni ushqehet vetëm me dyshim.
E vërteta është se shumica dërrmuese e këtyre pretendimeve janë rrëzuar prej dekadash. Flamuri nuk valëvitej nga era, por dridhej nga inercia, sepse mbahej nga një shufër horizontale dhe, në mungesë të ajrit, nuk kishte çfarë ta ndalonte menjëherë lëkundjen. Yjet nuk dukeshin për të njëjtën arsye që nuk duken në një fotografi portreti gjatë ditës: ekspozimi i kamerës ishte i kalibruar për sipërfaqen shumë të ndriçuar të Hënës. Hijet krijonin kënde të ndryshme për shkak të relievit të parregullt hënor dhe perspektivës fotografike.
Dhe prova më e heshtur, por më kokëfortë, është ende atje lart: reflektorët lazer të lënë nga misionet Apollo, të cilët edhe sot përdoren nga observatorë në të gjithë botën për të matur me saktësi të jashtëzakonshme distancën Tokë–Hënë.
Ironia më e madhe është se Bashkimi Sovjetik, rivali për vdekje i SHBA-së në kulmin e Luftës së Ftohtë, nuk e mohoi kurrë uljen në Hënë. E pranoi si fakt. Po të kishte ekzistuar qoftë edhe dyshimi më i vogël për një mashtrim, Moska do të kishte qenë e para që do ta demaskonte me bujë. Nuk e bëri kurrë.
Ky shkrim nuk synon të bindë mohuesit.
Synon të kuptojë pse njerëzit besojnë më lehtë një komplot sesa një sukses.
Sepse suksesi të detyron të pranosh se dikush tjetër ishte i aftë të bënte atë që dukej e pamundur. Komploti ta heq këtë barrë psikologjike. Nëse gjithçka ishte teatër, atëherë askush nuk ishte më i zoti se ne. Është një mekanizëm mbrojtës, i vjetër sa vetë njeriu.
Sot jetojmë paradoksin e kundërt. Inteligjenca artificiale mund të krijojë video që bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga realiteti. Zërat mund të klonohen. Fotografitë mund të manipulohen me një klikim. Pikërisht tani, kur kemi më shumë arsye për të dyshuar te imazhi, kemi edhe më shumë mjete për ta verifikuar atë.
Në vitin 1969 ndodhte e kundërta. Atëherë nuk ekzistonte teknologjia për të fabrikuar bindshëm një mashtrim në atë shkallë. Për të simuluar uljen në Hënë, do të duhej të heshtnin qindra mijëra inxhinierë, shkencëtarë, teknikë, kontraktorë dhe vëzhgues të pavarur në mbarë botën. Historia na mëson një rregull të thjeshtë: sa më i madh të jetë një komplot, aq më e pamundur bëhet ruajtja e sekretit.
Ndoshta, pas më shumë se gjysmë shekulli, pyetja më interesante nuk është më nëse Neil Armstrong e shkeli apo jo Hënën.
Pyetja është pse kemi ende nevojë ta vëmë në dyshim.
Sepse Hëna nuk është më objekti i debatit. Në qendër të debatit është vetë e vërteta.
Ndoshta ky është mësimi më i madh që na la 21 korriku i vitit 1969: njerëzimi arriti të kapërcente rreth 384 mijë kilometra për të prekur Hënën, por ende nuk ka arritur të kapërcejë distancën shumë më të shkurtër që ndan faktin nga paragjykimi.
