
Nga Leonard Veizi
Filadelfia, 4 korrik 1776. 56 burra vunë firmën mbi një letër që në Londër do të quhej “akt tradhtie”. Në histori do të quhej Deklarata e Pavarësisë…
…Me atë bojë ende të njomë, ata nuk shpallën vetëm ndarjen nga Britania. Shpallën vdekjen e një bote ku kurorat trashëgoheshin dhe lindjen e një bote ku pushteti votohej.
Në thelb të këtij akti qëndronte ideja se pushteti nuk buron nga kurora, por nga qytetari. Që në 1774, Tomas Xheferson artikulonte një bindje që tashmë po piqej në mendimin kolonial: se lidhja me Britaninë nuk ishte më një marrëdhënie natyrore politike, por një strukturë e tejkaluar nga realiteti historik dhe nga vetëdija e re e kolonive për veten.
Xheferson do të shkruante në frymën e kohës se pavarësia nuk ishte rastësi, por domosdoshmëri historike – një përfundim logjik i një procesi të gjatë tensioni mes taksimit pa përfaqësim, kufizimit të lirive ekonomike dhe mungesës së përfaqësimit politik në Parlamentin britanik. Në këtë kuptim, 1776 nuk është thjesht dhe vetëm një datë me ngjarje në histori, por një pikë thyerjeje e një rendi botëror.
Revolucioni Amerikan nuk lindi në boshllëk. Ai u ushqye nga filozofia e Iluminizmit europian, nga Xhon Loku dhe ideja e të drejtave natyrore, nga besimi se shoqëria politike është një kontratë midis të qeverisurve dhe qeverisësve. Por, në çastin që kjo kontratë shihej si e prishur, rebelimi nuk ishte më thjesht i justifikueshëm; ai bëhej moralisht i detyrueshëm.
Në planin historik, shpallja e pavarësisë shënoi lindjen e një modeli të ri shtetëror: republikës moderne, që do të evoluonte më vonë në një referencë globale për lëvizjet demokratike. Në planin politik, ajo shënoi fundin e një iluzioni të gjatë imperial se stabiliteti mund të mbahet përmes kontrollit pa përfaqësim. Dhe në planin ideologjik, ajo vendosi në qendër individin si subjekt të së drejtës.
Megjithatë, kjo histori mbetet edhe paradoksale. Idealet e lirisë dhe barazisë që u shpallën në 1776 bashkëjetuan për dekada me skllavërinë, përjashtimin e grave nga jeta politike dhe pabarazitë strukturore që do të kërkonin shekuj për t’u sfiduar. Kjo e bën Revolucionin Amerikan jo një akt të përfunduar emancipimi, por një proces të hapur historik.
Në fund, 1776 mbetet një çast ku historia nuk ndryshoi vetëm regjime, por mënyrën si njerëzimi filloi të mendojë për pushtetin. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij: jo vetëm si mit themelues, por si dëshmi se idetë, kur arrijnë masën kritike të kohës, kthehen në histori.
