Nga Leonard Veizi
Bashkimi Evropian ka hyrë sërish në një gjendje alarmi. Këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë krizë të euros, për emigrantët që trokasin në kufij, as për ndonjë qeveri që rrezikon të bjerë. Bëhet fjalë për luftën. Ose, më saktë, për mundësinë që lufta të na trokasë në derë.
Nga Brukseli vjen udhëzimi: qytetarët duhet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe artikuj të domosdoshëm për 72 orët e para të një emergjence.
Tri ditë mbijetese. Me sa duket, pas kësaj kohe ose do të vijë shpëtimi, ose do të jemi mësuar me situatën.
Po ç’ndodhi?
Në marketin e lagjes, ku kisha hyrë për të marrë ca gjëra të vogla, dy fqinjët e mi u futën me vrull, sikur dikush të kishte dhënë alarmin: Miell ka dhe për 6 ditë!
– E Nardo, ke ardhur edhe ti të furnizohesh?
– Jo mor vëlla, kam gruan ca si pa qejf e më çoi të marr ca stika e lajthi.
Secili mori nga një karrocë me rrota dhe iu drejtua rafteve me vendosmërinë e njerëzve që kanë marrë një detyrë patriotike.
– Të keqen e mendjes, – ia pati tjetri. – Po lajmet a i dëgjove?
– S’kam pasur kohë. Lëre që s’ua kam as ngenë.
– Ç’a thua… Po ti je edhe gazetar!
– Gazetar jam në punë, – iu përgjigja, – në shtëpi jam burri i familjes. Prandaj do blej edhe çokollata për gruan, edhe patatina për kalamajtë.
Fqinjët nuk humbën kohë me tekat e mia. Nisën furnizimet. Konserva peshku, ujë, pije të gazuara, makarona, oriz, biskota, vaj, detergjentë… dhe ndonjë koli birre. Njëri mori edhe piceta ditore. Bravo të qoftë, isha gati t’i thoja. Por ai pa nga unë dhe ngriti supet si për të më thënë: Eh mor vëlla , edhe unë për gruan i kam. Ndërsa tjetri po shqyrtonte me kujdes afatet e skadencës, sikur po zgjidhte ushqimet për një ekspeditë në Polin e Veriut.
– Po më duket sikur po përgatiteni për Vitin e Ri? – u thashë. – Ca si shpejt.
– Në atë krah fli ti. BE-ja udhëzon të marrim masa. Luftë, or luftë! Duhet të kemi ushqime për 72 orë. Le që ku dëgjon lajme ti.
– Po ele, ele! Me kë do t’ia shkrepim këtë herë?
– Ku dimë ne! Me rusin ka mundësi. Ata po e kruajnë fort.
– Po rusët kanë qenë njëherë e një kohë këmbëkryq këtu te ne. Ja, në Pashaliman i kemi pasur.
– Shekull i ri vëlla, tabjete të reja. Kanë ndryshuar kohët. Miku të bëhet armik. Më duket se inatin e Enverit do ia nxjerrin këtij të gjatit. Na mori në qafë thuaj.
– Tobestakfurullah, luj mor vendit. Se me të thatin e ha dhe i njomi në këto raste.
Fqinjët e mij vazhduan të gërmonin nëpër rafte.
– Po pushkë a do të na japin? – pyeta.
– Kush të jep gjë sot, mor burrë! As gurë me ça kokën nuk të japin. Se u kujtohen protestat te kryeministria. Duhet të sigurohesh vetë. Si partizanët njëherë e një kohë. Bunkerët po i prishëm. Mjerë ne thuaj. S’kemi ku të fusim kokën.
Këtu biseda mori një drejtim tjetër. Imagjinova një Shqipëri të mobilizuar sipas udhëzimeve të Brukselit. Në njërën dorë qytetari-ushtar mban konservën e sardeleve, në tjetrën listën e furnizimeve. Në bodrum, te vendi i parkimit, ka vendosur ujin, makaronat dhe një elektrik dore. Në rast alarmi, familja duhet të jetë gati të përballojë tri ditët e para të apokalipsit.
Po ditën e katërt?
Këtë nuk e di. Ndoshta atëherë do të mblidhet një samit tjetër në Bruksel.
Nëse lufta vjen, do të kemi nevojë për ushqim, ujë, ilaçe, bateri dhe radio. Nëse nuk vjen, do të kemi nevojë për një frigorifer më të madh, sepse të gjitha këto furnizime duhen futur diku. Dhe nëse konservat na mbeten pa u hapur, mund t’i përdorim për Vitin e Ri. Gjithmonë nëse nuk u ka kaluar afati.
Por ka edhe një problem tjetër. Në Shqipëri, njerëzit i kanë përjetuar disa herë këto situata. Kanë mbushur bodrumet me rezerva, kanë dëgjuar fjalime për armiq, rrethime, bllokada dhe luftëra të mundshme. Kanë jetuar me idenë se bota ishte gjithmonë një hap larg katastrofës. Prandaj, kur Brukseli na këshillon të përgatitemi për 72 orët e para, ne nuk kemi pse të bëjmë shumë pyetje. Kemi njëfarë përvoje historike. Vetëm se atëherë na thoshin se po përgatiteshim për mbrojtjen e atdheut, ndërsa sot po na thonë të përgatitemi për mbrojtjen e frigoriferit. Miell o miell, sa më shumë miell!
– Eeee, hej… do të shqepemi me petulla.
Në fund, u ndamë te kasa. Fqinjët kishin mbushur karrocat, unë kisha marrë vetëm një dy pako çimçakëza dhe një pako fara luledjelli.
– Nardo, po më dëgjove mua merri ca konserva? Në mos sot, nesër do të duhen.
– Jo, mor jo. Kam plane të tjera unë.
– Çfarë planesh? Se mos të shkon në mendje të vish e të na kërkosh borxh. Jo vallahi, nuk ta hap derën.
– Mos ki frikë o burrë se nuk plas lufta, – ia kthej unë me sigurinë e komandantit të Forcave të Armatosura, – e shumta do bëjmë ndonjë stërvitje me trupat e NATO-s ku ushtaret e armatosur do ngjiten me litar për të marrë godinëne korpusit të Politeknikut
Evropa, ndërkaq, vazhdon të na kujtojë se duhet të jemi gati për më të keqen.
Nuk e di nëse do të vijë lufta. Por një gjë duket e sigurt: nëse shpërthen, të paktën për 72 orët e para, nuk do të na marrë uria.
Për më tej ka Perëndia.
