Nga rrugicat e Parisit në pavdekësinë e muzikës franceze
Nga Leonard Veizi
Më 10 tetor 1963, në Grasse të Francës, u shua një zemër që kishte rrahur gjithmonë jashtë ritmit të qetësisë. Ishte zemra e Edith Piaf. Vetëm 47 vjeçe. Një grua e brishtë, e lodhur nga jeta, por që kishte ditur të bënte diçka që pak e arrijnë: ta marrë dhimbjen e saj, ta shtrydhë deri në pikën e fundit dhe ta kthejë në këngë. Pas saj nuk mbeti heshtja. Mbeti një zë që nuk i përkiste më Francës, por gjithë atyre që kanë dashuruar dhe kanë humbur…
…E lindur më 19 dhjetor 1915, në Paris, me emrin Édith Giovanna Gassion, Piaf nuk erdhi nga bota e salloneve elegante dhe e skenave të ndriçuara. Jeta e saj nisi mes vështirësive, në një mjedis ku mbijetesa ishte më e rëndësishme se ëndrrat. Përpara se të bëhej një nga figurat më të njohura të këngës franceze, ajo njohu varfërinë, rrugën dhe pasigurinë. Pikërisht aty, larg akademive dhe sallave të koncerteve, u formua një zë që nuk kishte nevojë për zbukurime. Mjaftonte të këndonte.
Zbulimi i saj nga menaxheri Louis Leplée, në vitin 1935, i hapi rrugën drejt skenës profesionale. Ishte Leplée ai që i dha nofkën “Vogëlushja Harabel”, shprehje pariziene që në origjinal tingëllon “La Môme Piaf”. Emri do ta shoqëronte gjatë gjithë karrierës, derisa bota do ta njihte thjesht si Edith Piaf.
Suksesi nuk erdhi sepse Piaf zotëronte një zë të fuqishëm në kuptimin klasik të fjalës. Ajo kishte diçka më të rrallë: aftësinë për t’i dhënë çdo fjale peshën e një përvoje të jetuar. Kur këndonte për dashurinë, nuk dukej sikur interpretonte një tekst të shkruar nga dikush tjetër. Kur këndonte për braktisjen, publiku kishte përshtypjen se po dëgjonte rrëfimin e një njeriu që e kishte provuar vetë atë humbje. Në interpretimin e saj, kënga nuk ishte thjesht melodi. Ishte dramë njerëzore.
Me kalimin e viteve, emri i Piaf u lidh me disa prej këngëve më përfaqësuese të repertorit francez. “La Vie en rose”, kënga që i dha famë ndërkombëtare, u bë një himn i dashurisë dhe i mënyrës se si ndjenja mund ta ndryshojë pamjen e botës. Më pas erdhën “Padam, padam”, “La Foule” dhe “Milord”, këngë që ruajtën atmosferën e Parisit, ritmin e rrugës dhe kontrastin mes gëzimit të jashtëm dhe trazimit të brendshëm.
Në vitin 1956, interpretimi i “La Vie en rose” në Carnegie Hall, në Nju Jork, shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhënien e saj me publikun amerikan. Piaf nuk ishte më vetëm një yll i këngës franceze. Ajo ishte bërë një interpretuese me famë ndërkombëtare, e aftë të komunikonte përmes emocionit edhe me ata që nuk kuptonin asnjë fjalë frëngjisht.
Por jeta e saj personale nuk ndoqi kurrë qetësinë që mund të sugjeronte një karrierë e tillë. Humbjet, marrëdhëniet e trazuara, problemet shëndetësore dhe varësia nga alkooli e barnat e shoqëruan për vite me radhë. Vdekja e boksierit Marcel Cerdan, dashurisë së saj të madhe, në një aksident ajror më 1949, ishte një nga goditjet më të rënda të jetës së saj. Cerdan udhëtonte drejt Nju Jorkut për ta takuar, kur avioni u rrëzua në Ishujt Azore.
Piaf vazhdoi të këndonte. Edhe kur trupi po e tradhtonte, ajo kthehej në skenë. Publiku shihte një grua të brishtë, por sapo niste kënga, ajo brishtësi shndërrohej në forcë. Zëri i saj nuk e fshihte vuajtjen; e bënte atë të dëgjueshme.
Veprimtaria e saj nuk u kufizua vetëm në muzikë. Piaf u shfaq edhe në kinema, duke luajtur në rreth dhjetë filma, mes tyre “Vajza djaloshare” në vitin 1936, “Montmartri mbi Senë” në vitin 1941 dhe “Dashnorët e së nesërmes” në vitin 1959. Edhe në ekran, ajo ruajti të njëjtin intensitet emocional që e kishte bërë të veçantë si këngëtare.
Edith Piaf ndërroi jetë më 10 tetor 1963, në Grasse, në jug të Francës. Lajmi për vdekjen e saj u përhap në një vend që e kishte shndërruar në një nga simbolet kulturore të veta. Ceremonia e varrimit në Paris mblodhi një turmë të madhe njerëzish, ndërsa kujtimi i saj vazhdoi të jetonte përtej skenës ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Për Piaf janë realizuar dokumentarë, filma dhe studime që përpiqen të rindërtojnë jetën e saj të trazuar dhe të shpjegojnë forcën e interpretimit të saj. Figura e saj është rikthyer vazhdimisht edhe në kulturën popullore, ndërsa filmi “Vogëlushja” në vitin 2007, i njohur ndërkombëtarisht si “La Vie en Rose”, me Marion Cotillard në rolin kryesor, e solli historinë e saj përpara një brezi të ri shikuesish.
Sot, Edith Piaf mbetet një nga këngëtaret më të njohura franceze të shekullit XX. Ajo nuk la pas vetëm këngë të famshme, por një mënyrë të veçantë të të kënduarit: të zhveshur nga tepricat, të mbështetur te fjala, fryma dhe emocioni. Në zërin e saj, Parisi mund të ishte një qytet dashurie, por edhe një vend vetmie; një skenë ku njerëzit takoheshin, ndaheshin dhe vazhdonin të jetonin me kujtimet e tyre.
Vitet kalojnë, ndërsa “La Vie en rose” vazhdon të dëgjohet. “Milord” ruan ritmin e vet, “Padam, padam” rikthen jehonën e një melodie që nuk të shqitet nga mendja, kurse “La Foule” mbart ende vrullin e një dashurie të rrëmbyer nga turma. Janë këngë që i mbijetuan autores së tyre, por që nuk mund të shkëputen prej saj.
Edith Piaf iku në moshën 47-vjeçare. Zëri i saj, megjithatë, nuk ka hyrë në heshtje. Ai vazhdon të dëgjohet sikur këngëtarja të jetë ende përballë mikrofonit, me sytë mbyllur dhe duart e mbledhura, duke i kërkuar këngës të thotë atë që jeta nuk ia kishte lejuar ta thoshte ndryshe.
