Historia mbi një foto
Impresione nga një vizitë ndryshe në Nju Jork, në “kështjellën” Fort Toten
Nga Leonard Veizi
Çfarë mund të bësh në Nju Jork nëse je për vizitë turistike dhe nuk të duhet as të ngjitesh e të zbresësh shkallët e metrosë për të kapur trenin, as të respektosh oraret e ngjeshura të punëve? Pasi ke parë pikat më të njohura të qytetit – ato që i vendos menjëherë në rrjetet sociale me lokacionin “Tajms Skuer” apo “Bruklin Brixh” – vjen çasti kur dëshiron të gjesh diçka më të pazakontë.
Një nga këto vende është Fort Toten.
Fort Toten – kujtesa e një qyteti
Fort Toten është një ish-instalim ushtarak i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i vendosur në lagjen Kuins, buzë Long Ajlend Saund. Në krye të Gjirit “Litëll Nek”, aty ku lumi “Ist River” zgjerohet, kjo fortesë ka qenë për dekada pjesë e strukturave mbrojtëse të Nju Jorkut.
Sot një pjesë administrohet nga qyteti, por aty ndodhen edhe objekte të Rezervës së Ushtrisë Amerikane. Një ndër më të veçantat është Klubi i Oficerëve, i quajtur “Kështjella”, ku Shoqëria Historike e Bejsajdit organizon evente. Prej vitit 1986, Fort Toten është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike.
Kamioni që mbart kujtesën
Ndodh që një automjet nuk është më thjesht një mjet shërbimi, por shndërrohet në dëshmi të gjallë të historisë. Ky është rasti i kamionit zjarrfikës FDNY 55-8087.
Vizita ime në Fort Toten dhe fotografia pranë kamionit më bëri ta ndjej më afër 11 shtatorin e vitit 2001, ditën që ndryshoi botën.
Ky kamion, i njohur ndryshe si “Shkalla 343”, mori pjesë në operacionet e shpëtimit në Kullën Veriore. Ai mbeti i përdredhur dhe i shkatërruar nën rrënojat e asaj dite, duke bartur përjetësisht gjurmët e tragjedisë.
Njësia e Shkallëve 3 dhe Kapiteni Patrik Braun
Njësia e Shkallëve 3, me stacion në Ist Villëxh, Manhatan, ishte ndër të parat që iu përgjigj sulmit terrorist. Kapiteni Patrik “Padi” Braun, veteran i marinës dhe figurë e respektuar në FDNY, udhëhoqi skuadrën drejt Kullës Veriore.
Mes tymit dhe flakëve, ai organizoi evakuimin e civilëve. Në një nga radiomesazhet e fundit, ai tha: “Kemi mjaft të plagosur. Po përpiqemi të evakuojmë sa më shumë që të mundemi.”
Orët e fundit
Rreth orës 10:28, Kulla Veriore u shemb. Bashkë me të, u shkatërrua edhe kamioni FDNY 55-8087 dhe humbën jetën 11 zjarrfikës të Njësisë së Shkallëve 3, përfshirë Kapitenin Braun.
Nga memoriali i përkohshëm te Muzeu 9/11
Pas tragjedisë, kamioni u vendos fillimisht në hangarët e FDNY, ku u kthye në një memorial të përkohshëm. Familjarë, kolegë dhe vizitorë linin lule dhe fotografi. Më pas, ai u ekspozua në Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit në Graund Zero.
Sot, ai ndodhet në Fort Toten. I njohur edhe si “Shkalla 343”, ai është testament i gjallë i sakrificës së 343 zjarrfikësve të FDNY që humbën jetën më 11 Shtator.
Ky kamion nuk është thjesht një relike. Çdo gërvishtje e tij rrëfen një histori heroizmi.
