Në 12 prill 1857, në Francë, u botua romani “Madame Bovary”, rrëfimi klasik i dashurisë dhe ndëshkimit
Nga Leonard Veizi
Kur rrugët e Parisit lageshin ende nga shiu i mëngjesit dhe gazetat e fundit përplaseshin në trotuare, letërsia franceze po përgatitej për një goditje të fortë. Ky nuk ishte një revolucion me barrikada, por një sfidë e heshtur ndaj vlerave të vjetra, një kryengritje që po merrte jetë përmes fjalës së shkruar…
…Në vitin 1857, Gustav Flober botoi romanin e tij më të famshëm, “Madame Bovary”, apo siç vjen në shqip, “Zonja Bovari”, një vepër që do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë.
Në qendër të kësaj drame qëndronte Ema Bovari, një grua e bllokuar mes ëndrrave romantike dhe realitetit të trishtë provincial, e cila kërkonte shpëtim në dashuri të ndaluara dhe iluzione të rrezikshme.
Ema Bovari nuk mishëron thjesht një personazh femëror, por një pasqyrë e thellë e shpirtit njerëzor të etur për më shumë se sa i lejon realiteti. Ajo jeton në një botë që nuk i përmbush pritshmëritë e saj, duke u ushqyer me romanca të lexuara dhe fantazi të ndërtuara mbi një jetë që nuk e ka. Pikërisht kjo përplasje mes ëndrrës dhe reales e shtyn drejt zgjedhjeve të rrezikshme, duke e kthyer historinë e saj në një tragjedi të ngadaltë, ku dëshira për lumturi shndërrohet në burim shkatërrimi.
Megjithatë, ajo që sot konsiderohet një kryevepër, në kohën e saj ishte një skandal i vërtetë. Romani u sulmua ashpër për mënyrën e hapur me të cilën flitej për tradhtinë bashkëshortore dhe krizën morale të individit. Autoritetet franceze e hodhën Gustav Floberin në gjyq, duke e akuzuar për fyerje të moralit publik dhe fetar. Për një kohë, libri u ndalua, por pikërisht kjo përplasje me normat e kohës e bëri veprën edhe më të fuqishme.
Gustav Floberi ishte një mjeshtër i fjalës së shkruar. Ai mund të shpenzonte orë të tëra duke menduar për një fjali të vetme, në kërkim të asaj që ai e quante fjalën e duhur. Ky perfeksionizëm i rrallë, i kombinuar me një stil të ftohtë, të kthjellët dhe të saktë, krijoi një model të ri në prozën moderne, ku emocionet nuk shpërthenin, por rridhnin në heshtje, mes rreshtave.
Përtej romanit, Gustav Floberi la pas edhe një koleksion të gjerë letrash, që zbulojnë mendjen e një artisti të përkushtuar, shpesh i larguar nga bota, por gjithmonë i fokusuar te e vërteta artistike. Sot, ai konsiderohet një nga figurat kryesore të letërsisë perëndimore, një autor që ndryshoi mënyrën se si shkruhet dhe kuptohet romani.
Romani “Madame Bovary” është përkthyer në shqip disa herë, por përkthimi më i njohur dhe më i përhapur është ai nga Viktor Kalemi që është botuar nga shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
