Nga Leonard Veizi
Më 16 shtator 1942, në Pezë u provua e mundur ajo që shpesh na është dukur e pamundur: shqiptarë me bindje të kundërta u ulën në një tryezë për një interes më të madh se partitë e tyre – çlirimin e vendit.
Nuk ishte një mbledhje rutinë lufte. Ishte një akt politik me vetëdije të plotë. Në një Shqipëri të pushtuar nga Italia fashiste, Fronti Nacionalçlirimtar thirri në Pezë komunistë, nacionalistë, krerë krahinash, klerikë dhe intelektualë. Enver Hoxha dhe Mustafa Gjinishi, Myslim Peza dhe Abaz Kupi, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Skënder Muço e të tjerë – emra që i ndante thuajse gjithçka, përveç një gjëje: pushtuesi duhej nxjerrë jashtë.
Dhe këtu qëndron vlera themelore e Pezës. Ajo nuk krijoi thjesht një front ushtarak. Ajo krijoi një model: një front të vetëm kombëtar. Vendimet për këshillat nacionalçlirimtare, për përfshirjen e popullsisë në luftë, për një Shqipëri pas lufte me më shumë barazi, kishin vetëm një parakusht: bashkimi. Jo unanimiteti ideologjik, por bashkimi në një front.
Ky model duhej të vazhdonte. Kjo ishte logjika e Pezës.
Fatkeqësisht nuk vazhdoi. Një vit më vonë, në Mukje, ajo që ishte ndërtuar si bashkim u thye si mosbesim. Konferenca e Mukjes, në vend që ta thellonte frontin e përbashkët, e ktheu në pazar politik për pushtetin e pasluftës. Aty lindi përçarja që Peza kishte dashur të shmangte. Nga një front kundër pushtuesit, u kalua në dy fronte kundër njëri-tjetrit. Pasoja dihet: luftë civile brenda luftës çlirimtare dhe një fitues që e përdori fitoren për të eliminuar kundërshtarin, jo për ta përfshirë.
Ndaj sot Peza nuk duhet lexuar as me nostalgji komuniste, as me cinizëm antikomunist. Ajo nuk ishte alibi për regjimin që erdhi më pas, por as nuk mund të fshihet se regjimi e instrumentalizoi. Në kontekstin e vet, më 16 shtator 1942, ajo ishte e drejtë: Shqipëria kishte nevojë për një front, jo për shumë fronte.
84 vjet më vonë, mësimi është i njëjtë dhe i papërmbushur. Kombi nuk rrezikohet nga dallimet. Rrezikohet kur dallimet kthehen në përçarje. Peza provoi se kur interesi kombëtar vihet mbi llogaritë e ngushta, edhe kundërshtarët ulen bashkë. Mukja provoi të kundërtën: kur llogaria për pushtet vihet mbi interesin kombëtar, edhe aleatët bëhen armiq.
Nëse ka diçka për të përkujtuar më 16 shtator, është pikërisht kjo: Shqipërisë i ka munguar gjithmonë vazhdimësia e Pezës. Fronti i përbashkët duhet të ishte rregulli, jo përjashtimi.
