Më 25 maj 1971, Idi Amin, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Ugandës”, drejtoi një grusht shteti që rrëzoi Milton Oboten dhe më pas u vetëshpall President.
Nga Leonard Veizi
Filmi “The Last King of Scotland” nuk është thjesht dhe vetëm një rrëfim historik mbi ngritjen e Idi Aminit në pushtetin politik dhe ushtarak të Ugandës, por një anatomizim i mekanizmave psikologjikë dhe politikë që e bëjnë një diktator të mundshëm. Në qendër të tij qëndron figura e Aminit, – një ushtarak që, pas grushtit të shtetit të 25 majit 1971 i cili rrëzoi Milton Oboten, – u shndërrua në një nga despotët më famëkeq të Afrikës, duke sunduar deri në vitin 1979.
Regjimi i tij është i lidhur me një bilanc ekstrem dhune dhe represioni. Sipas vlerësimeve historike, gjatë viteve të sundimit të Aminit janë vrarë nga 100,000 deri në 500,000 persona, ndërsa qindra mijëra të tjerë u detyruan të largohen nga vendi. Kjo shifër e rëndë e vendos qartë figurën e tij jo vetëm si një aktor politik autoritar, por si simbol të terrorit shtetëror në Afrikën postkoloniale.
Ajo që e bën këtë film të rëndësishëm nuk është vetëm rindërtimi i ngjarjeve historike, por mënyra se si ai e zhvendos fokusin nga kronika politike te marrëdhënia e rrezikshme mes pushtetit dhe adhurimit. Idi Amin, i njohur si “Kasapi i Ugandës”, nuk shfaqet thjesht si një figurë monstruoze e lindur nga historia, por si produkt i një sistemi ku karizma, frika dhe oportunizmi politik bashkohen në një trup të vetëm autoritar.
Në këtë kuadër, filmi shtron një pyetje të rëndësishme për t’i dhënë përgjigje: sa tirani lind nga individi dhe sa nga ata që e rrethojnë dhe e legjitimojnë atë? Përmes syve të një mjeku skocez, rrëfimi shndërrohet në reflektim mbi verbërinë morale të vëzhguesit perëndimor, i cili shpesh lëkundet mes kuriozitetit, ambicies personale dhe paaftësisë për të kuptuar realitetin politik ku ndodhet.
Historikisht, rënia e Milton Obotes dhe ngritja e Aminit shënojnë një nga kthesat më dramatike në historinë moderne të Ugandës: një periudhë ku institucionet u zëvendësuan nga vullneti i një njeriu të vetëm dhe ku shteti u shndërrua në instrument frike. Rikthimi i Obotes pas tetë vitesh mërgimi politik nuk e shlyen këtë kapitull, por vetëm e konfirmon ciklin e brishtë të pushtetit në një vend të shkatërruar nga grushtet e shtetit dhe ndërhyrjet ushtarake.
Në këtë sens, “The Last King of Scotland” apo siç vjen në shqip “Mbreti i Fundit i Skocisë”, shkon përtej biografisë së një diktatori. Ai bëhet një reflektim mbi mënyrën se si historia prodhon figura të tilla dhe mbi lehtësinë me të cilën shoqëritë – vendase apo të huaja – i nënshtrohen logjikës së forcës kur institucionet dobësohen.
Amin nuk është vetëm një individ historik; ai është një model paralajmërues i pushtetit të pakufizuar. Dhe filmi, duke e vendosur atë në qendër të një narrative të tensionuar personale dhe politike, na kujton se diktatura nuk lind në boshllëk: ajo ushqehet nga heshtja, nga bashkëpunimi dhe nga iluzioni se pushteti i pakontrolluar mund të jetë, në ndonjë mënyrë, funksional.
