Nga Leonard Veizi
Ka ndodhur që një fjali të bëhet më e famshme se njeriu që e ka thënë. Ka edhe raste kur ajo kapërcen kohën e saj dhe shndërrohet në një shprehje që mbetet gjatë në kujtesën kolektive.
“Il est interdit d’interdire.”
Është e ndaluar të ndalosh.
Mjaftojnë këto pesë fjalë për të sjellë ndër mend Parisin e vitit 1968: Sorbonën e pushtuar, kalldrëmet e shkulur nga rruga, tymin mbi “Quartier Latin” apo “Lagjja Latine”, policinë me mburoja, studentët pas barrikadave dhe muret e mbuluara me fjali që dukeshin sikur talleshin me gjithë botën e vjetër.
Por historia, si gjithmonë, ka një ves të bezdisshëm: nuk i bindet legjendës.
Shprehja nuk lindi në Sorbonë. Nuk ishte, në kuptimin e ngushtë, as krijim i studentëve të Majit ’68. Ajo ishte përdorur më parë nga humoristi francez Jean Yanne, në një kontekst ironik. Revolta e përvetësoi. Dhe siç ndodh me batutat e goditura, doli nga goja e autorit dhe nisi të jetonte jetën e vet. Ndoshta sepse Parisi i vitit 1968 kishte nevojë pikërisht për një fjali të tillë. Një fjali që e kafshonte autoritetin në gjuhën e tij.
Gjithçka kishte nisur pak më herët, në Nanterre.
Më 22 mars, studentët ngrihen në revoltë. Kundërshtojnë rregullat universitare, luftën në Vietnam, strukturat e ngurtësuara të autoritetit. Mes tyre është Daniel Cohn-Bendit, një emër që shumë shpejt do të bëhej simbol i rebelimit. Në fillim, pushteti mendon se ka përballë një grup studentësh të zhurmshëm.
Gabim. Sepse revoltat e mëdha rrallë e tregojnë që në nisje madhësinë e tyre.
Më 3 maj, policia hyn në Sorbonë. Ka arrestime. Universiteti mbyllet. Përplasja zhvendoset në rrugë. Dhe rruga ka një kujtesë të vetën. Në “Lagjja Latine” ngrihen barrikadat. Kalldrëmi bëhet armë. Muret bëhen gazetë. Dhe parullat nisin të flasin një gjuhë që pushteti nuk e kishte mësuar:
“Jini realistë, kërkoni të pamundurën.”
“Është e ndaluar të ndalosh.”
Fjali të shkurtra, por pas tyre fshihet një kthesë e madhe: autoriteti nuk merret më si diçka e shenjtë.
Profesorit mund t’i thuhet jo. Policit mund t’i thuhet jo. Qeverisë mund t’i thuhet jo. Traditës mund t’i thuhet jo. Edhe asaj që deri dje quhej “normale” mund t’i thuhet jo. Dhe kur një brez nis t’i thotë jo asaj që të gjithë të tjerët e kanë pranuar si po, kriza nuk është më universitare. Është shoqërore.
Më 10 maj vjen nata e madhe. “Nata e Barrikadave”. Parisi nuk duket më si kryeqyteti elegant i një shteti të fuqishëm europian. Në “Quartier Latin” digjen makina, ngrihen barrikada, policia sulmon, studentët përgjigjen. Gurët e shkëputur nga rruga fluturojnë në ajër. Një qytet i tërë sheh në ekran diçka që deri atëherë dukej e pamundur: autoriteti mund të vihet në siklet. Këtu frika ndërron anë.
Më 13 maj, sindikatat thërrasin grevë të përgjithshme. Rreth 800 mijë njerëz marshojnë në Paris. Tani nuk janë më vetëm studentët. Lëviz një shoqëri e tërë. Fabrikat ndalen. Punëtorët hyjnë në grevë. Universitetet mbushen me debate. Miliona njerëz përfshihen në një krizë që nuk zgjidhet më me urdhër policie.
Në fund të majit, Franca është praktikisht e paralizuar. Dhe në mes të këtij kaosi, një fjali prej pesë fjalësh bëhet flamur.
Është e ndaluar të ndalosh.
Por sa më shumë e mendon, aq më paradoksale bëhet. Sepse çfarë është ajo vetë? Një ndalim. Një ndalim kundër ndalimit. Nëse dikush thotë: “Nuk lejohet ta bësh këtë”, rebelimi i përgjigjet: “Nuk lejohet të më ndalosh.” Pra, edhe rebeli përdor gjuhën e urdhrit. Vetëm se e kthen armën në drejtim të kundërt. Këtu qëndron bukuria dhe rreziku i saj. Ajo nuk kërkon thjesht një liri administrative. Kërkon lirinë për të vënë në dyshim vetë rregullin.
Dhe këtu nis problemi i vërtetë.
Sepse një shoqëri mund të tolerojë shumëçka: një protestë, një grevë, një demonstratë. Mund të tolerojë edhe një grup studentësh që bërtasin në shesh. Por fillon të dridhet kur dikush pyet:
Pse duhet të jetë kështu?
Kjo është pyetja që i tremb më shumë sistemet. Jo “çfarë do të ndryshojmë?”, por “kush vendosi që kjo nuk mund të ndryshohet?”
Në fund, De Gaulle e rimerr iniciativën. Më 29 maj largohet për pak orë drejt Baden-Badenit. Të nesërmen kthehet në Paris dhe shpërndan Asamblenë Kombëtare.
Në qershor, zgjedhjet parlamentare u japin gaullistëve një fitore të madhe.
Maji ’68 nuk e rrëzoi De Gaulle-in. Nuk e përmbysi shtetin. Nuk solli revolucionin politik që e ëndërronin disa. Por ndodhi diçka tjetër, më e ngadaltë dhe ndoshta më e rëndësishme.
Autoriteti humbi aureolën. Profesorët nuk ishin më të pagabueshëm. Prindërit nuk ishin më pronarë absolutë të së vërtetës. Institucionet nuk ishin më jashtë kritikës. Dhe fëmijët e bindur të shoqërisë së vjetër zbuluan një fjalë të vogël, por të fuqishme: Jo.
Prandaj “Il est interdit d’interdire” vazhdon të jetojë.
Jo sepse ishte slogani më autentik i Sorbonës. Jo sepse Jean Yanne shkroi një manifest revolucionar. As sepse Maji ’68 ishte një revolucion i përsosur. Por sepse fjalia përmban një të vërtetë që çdo pushtet e kupton me vonesë: nuk mund ta ndalosh përgjithmonë njeriun të pyesë pse po e ndalon.
Mund t’i mbyllësh universitetin. Mund ta largosh turmën nga sheshi. Mund të arrestosh protestuesit. Mund të pastrosh muret nga grafitet. Mund t’i kthesh kalldrëmet në vend. Por ideja është më e vështirë për t’u arrestuar. Kjo është arsyeja pse pushtetet kanë gjithmonë problem me fjalitë e shkurtra. Sepse një fjali mund të shkruhet me bojë, por mund të mbetet në kokë për gjysmë shekulli.
Sot, më shumë se pesëdhjetë vjet pas Majit ’68, shprehja tingëllon edhe më paradoksale. Sepse jetojmë në një kohë që ka shpikur mijëra mënyra të reja për të ndaluar. Ndonjëherë të ndalojnë me ligj. Ndonjëherë me censurë. Ndonjëherë me turmë. Ndonjëherë me frikë. Ndonjëherë nuk të thonë fare “ndalo”. Të bindin se nuk ia vlen të flasësh. Dhe ky është ndoshta ndalimi më elegant. Sepse kur njeriu nis të censurojë veten, pushteti nuk ka më nevojë të ngrejë zërin. Prandaj, në fund të fundit, “Është e ndaluar të ndalosh” nuk është thjesht një relike e Parisit të vitit 1968. Është një pyetje. Një pyetje pezull mbi çdo shoqëri:
Sa të lirë jemi, nëse dikush tjetër vendos paraprakisht se çfarë nuk kemi të drejtë të mendojmë?
Dhe ndoshta këtu qëndron ironia më e madhe: edhe ndalimi për të ndaluar është një ndalim. Por ndonjëherë, për të rrëzuar një mur, të duhet pikërisht një paradoks.
