Nga Leonard Veizi
Në verën e vitit 1649, kur Evropa po përpiqej të rimëkëmbej nga Lufta Tridhjetëvjeçare dhe trojet shqiptare jetonin prej më shumë se dy shekujsh nën sundimin osman, në Urbino lindi Xhovani Françesko Albani. Ai ishte pasardhës i një familjeje arbërore që ishte larguar nga Shqipëria pas pushtimit osman dhe kishte gjetur strehë në Itali. Më 1700, ky bir i një dere me origjinë shqiptare do të zgjidhej Papë me emrin Klementi XI. Historia e tij nuk është vetëm historia e një njeriu që arriti në fronin e Shën Pjetrit, por edhe e një pasardhësi arbëror që nuk i këputi kurrë lidhjet shpirtërore me vendin e të parëve…
…Përtej shkëlqimit të oborrit papnor, ku Klementi XI u shqua si mbrojtës i arteve, përkrahës i shkencës, bamirës i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit dhe nxitës i studimeve arkeologjike përmes gërmimeve në katakombet e Romës, qëndron edhe një tjetër dimension i figurës së tij: kujdesi i vazhdueshëm për Arbërinë. Mbiemri Albani nuk ishte thjesht emri i një familjeje fisnike italiane; ai ruante kujtesën e prejardhjes arbërore të trungut familjar, një trashëgimi që Papa nuk e mohoi kurrë.
Në kulmin e autoritetit të tij, Klementi XI tregoi interes të veçantë për gjendjen e shqiptarëve katolikë që jetonin nën Perandorinë Osmane. Me urdhrin e tij u krye një vizitë e gjerë apostolike për të shqyrtuar jetën fetare, arsimin, zakonet dhe kushtet e jetesës së besimtarëve në trojet shqiptare. Nga kjo nismë lindi edhe Kuvendi i Arbënit i vitit 1703, mbajtur në Mërqi pranë Lezhës, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për organizimin e Kishës Katolike në Shqipëri dhe për ruajtjen e identitetit kulturor të arbërorëve.
Kuvendi i Arbënit nuk ishte thjesht një mbledhje kishtare. Në një kohë kur presioni politik, fetar dhe kulturor mbi popullsinë shqiptare ishte i madh, ai u bë një instrument për forcimin e jetës fetare, për ruajtjen e traditave dhe për mbështetjen e identitetit të bashkësive katolike shqiptare. Vendimet e tij mbeten edhe sot një nga burimet më të rëndësishme për njohjen e shoqërisë shqiptare në fillim të shekullit XVIII.
Historia njeh jo pak njerëz që, sapo arrijnë pushtetin, shkëputen nga vendi prej nga kanë ardhur. Klementi XI ndoqi një rrugë tjetër. Duke drejtuar Kishën Katolike universale, ai nuk reshti së interesuari për fatin e Arbërisë dhe të bijve të saj. Për shqiptarët, ai mbetet jo vetëm Papa me origjinë arbërore, por edhe një nga personalitetet që, nga maja e botës katolike, kontribuoi në ruajtjen e trashëgimisë fetare, kulturore dhe historike të vendit të të parëve.
