Forcat zjarrfikëse franceze vijuan sot përpjekjet për të vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha pyjore, përgjatë bregut të Atlantikut dhe në jug të vendit, ndërsa autoritetet janë angazhuar në evakuimin e mijëra banorëve dhe turistëve.
Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se partnerët evropianë po dërgojnë avionë dhe helikopterë, për të ndihmuar në luftën kundër zjarreve, që kanë përfshirë zona të njohura turistike.
“Situata mbetet në një nivel shumë të lartë tensioni për shkak të zjarreve, që po shkatërrojnë vendin, veçanërisht në Gironde”, shkroi Macron në platformën X, duke iu referuar krizës në rajonin pranë Bordosë.
Franca ka kërkuar aktivizimin e “Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian”, përmes të cilit do të marrë ndihmë nga Kroacia, Portugalia, Çekia dhe Sllovakia.
Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu mbështetje për Francën, duke thënë se zjarret pyjore kanë sjellë pasoja shkatërruese dhe se Gjermania është e gatshme të ndihmojë, përmes mekanizmit evropian të mbrojtjes civile.
Mbi 60 mijë persona të evakuuar
Sipas autoriteteve franceze, deri tani 63 mijë persona janë evakuuar nga zonat e prekura.
Zjarri më i rëndë po përhapet pranë destinacionit të njohur turistik të Bordosë.
Në rajonin e Gironde, pranë Bordosë, janë evakuuar rreth 44 mijë persona.
Flakët kanë përfshirë rreth 12,500 hektarë tokë, kanë shkatërruar 53 banesa dhe një kamping turistik.
Në operacion janë angazhuar rreth 1000 zjarrfikës, nëntë avionë zjarrfikës dhe dy helikopterë. Deri tani janë plagosur 42 zjarrfikës.
Bordo përgatitet të presë të evakuuarit
Autoritetet e qytetit të Bordosë kanë nisur përgatitjet për të strehuar persona të tjerë të evakuuar në sallat e ekspozitave të qytetit, të cilat mund të strehojnë deri në 10 mijë persona.
Banorë dhe pushues nga zona turistike, Cap Ferret janë larguar me anije drejt Arcachonit. Nga aty, autoritetet hekurudhore kanë shtuar numrin e trenave drejt Bordosë për transportin e tyre.
Edhe peshkatarët vendas kanë vënë në dispozicion anijet e tyre për evakuimet, ndërsa fermerët kanë ndihmuar zjarrfikësit duke siguruar 40 autobote me ujë.
Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez tha se edhe 20 mijë persona të tjerë në 10 qytete pranë basenit të Arcachonit janë urdhëruar të largohen.
Një tjetër zjarr në bregdetin e Atlantikut, në jug të Bordosë, pranë qytetit Biscarrosse, ka detyruar evakuimin e 23 mijë personave të tjerë.
Edhe në këtë zonë janë rrezikuar kryesisht kampingjet dhe strukturat turistike.
Autoritetet dyshojnë se ky zjarr nisi pasi një furgon shpërndarjeje, mori flakë për shkak të një defekti teknik, ndërsa po lëvizte në një rrugë pyjore.
Deri tani nuk raportohet për viktima civile, por një zjarrfikës është plagosur.
Në fillim të javës, dy zjarrfikës humbën jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e një zjarri pranë aeroportit të Bordosë.
Zjarre edhe në zona të tjera të Francës
Në jug të Francës, një zjarr pranë Pontevès, në verilindje të Marsejës, është riaktivizuar.
Rreth 500 banorë janë evakuuar, ndërsa rreth 800 zjarrfikës, të mbështetur nga mbi 100 ushtarë, po luftojnë me flakët.
Për herë të parë, avionët zjarrfikës kanë marrë ujë edhe nga lumi Sena, në jug të Parisit, për të përballuar zjarrin e madh në pyllin e Fontainebleau.
Ministria franceze e Mbrojtjes ka njoftuar se po përgatit një avion ushtarak “Airbus A400M” për operacione kundër zjarreve.
Avioni mund të transportojë dhe të hedhë deri në 20 tonë ujë dhe pritet të jetë gati brenda 10 ditësh.
Meteorologët parashikojnë se temperaturat në rajon do të arrijnë sërish deri në 39 gradë Celsius gjatë së premtes./mxh
