Nga Leonard Veizi
Në arkivin e madh të kujtesës së shekullit XX ka imazhe që nuk kanë të bëjnë thjesht me imazhe fotografike, por me gjykime të heshtura mbi kohën që i prodhoi. Ato na detyrojnë të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë mbetet nga një epokë kur pluhuri i historisë qetësohet. Ndër to spikat “Burst of Joy” – “Shpërthimi i gëzimit”, një çast i ngrirë në kohë ku drita e shpresës përplaset me hijet e një epoke të lodhur nga lufta. Në atë imazh, historia nuk rrëfehet me fjalë, por me një lëvizje të beftë, me një vrap drejt përqafimit, me një emocion që duket sikur shpërthen nga vetë korniza e fotografisë…

…E shkrepur në mars të vitit 1973 në bazën ajrore Travis të Kalifornisë, kjo fotografi nuk dokumenton thjesht kthimin e një ushtaraku nga fronti. Ajo kap atë çast të brishtë kur një makth i gjatë fillon të tërhiqet dhe liria merr frymë sërish. Në atë sekondë të vetme, historia dhe jeta takohen ballë për ballë – dhe gëzimi, më në fund, pushton terrenin e humbur, sikur të na kujtojë se pas çdo lufte, triumfi më i madh nuk është fitorja në fushëbetejë, por rikthimi i njeriut te njerëzit e tij.
Anatomia e një sekonde
Në qendër të objektivit 35 mm të fotografit të “Associated Press”, Slava Veder, shfaqet koloneli Robert L. Stirm. Pas pesë vitesh robëri në Vietnam, ai zbret më në fund në tokën amerikane. Por në vend të ceremonive formale ushtarake dhe ftohtësisë së protokollit, atë e pret një skenë krejt tjetër: vrulli i papërmbajtshëm i familjes që vrapon drejt tij, duke sfiduar çdo rregull rreshtimi.
Vajza e tij, me krahët e hapur dhe hapat që mezi prekin tokën, është figura që e bën fotografinë të paharrueshme. Në atë çast spontan, gëzimi nuk është thjesht një ndjenjë; ai është një forcë fizike që duket se shpërthen në ajër.
Detajet që e bëjnë këtë imazh një ikonë botërore janë sa të thjeshta, aq edhe tronditëse:
Lëvizja spontane i jep fotografisë një energji të gjallë njerëzore, duke e nxjerrë nga kuadri i thjeshtë i një lajmi.
Kur flasim për kontrastin emocional theksojmë se uniforma e ngurtë e ushtarakut, simbol i disiplinës dhe vuajtjes, thyhet nga vrulli, buzëqeshjet dhe lotët e familjes.
Kompozimi shtë trejt i natyrshëm ku të gjitha figurat, si në një koreografi hyjnore, bashkohen drejt një pike të vetme: përqafimit.
Nga kronikë në simbol
Kur fotografia u botua në gazetat amerikane dhe më pas fitoi Çmimin Pulitzer në vitin 1974, ajo u kthye menjëherë në një simbol kombëtar, por edhe universal. Pas viteve të gjata të një lufte të debatueshme, të përgjakshme dhe shpesh të pakuptimtë si ajo e Vietnamit, njerëzit panë në këtë imazh diçka që politika nuk mund ta shpjegonte dot kurrë: humanizmin e pastër.
“Burst of Joy” pushoi së qeni thjesht një lajm fotografik. Ajo u bë metaforë e fundit të një epoke, një çast ku “Historia e Madhe” e shteteve dhe “Jeta e Zakonshme” e individit u takuan në një pistë aeroporti për të bërë paqe me njëra-tjetrën.
Fuqia e një fotografie
Sot, pas dekadash, kjo fotografi mbetet një dëshmi e palëkundur e fuqisë së gazetarisë vizuale. Ajo na kujton se përtej strategjive gjeopolitike, traktateve diplomatike dhe statistikave të ftohta të luftës, historia e vërtetë matet shpesh me gjëra shumë më të thjeshta, por shumë më peshërënda: një pritje e gjatë që merr fund, një vrap drejt krahëve të njeriut të dashur dhe një sekondë ku lumturia mund mundimin.
Sepse, në fund të fundit, paqja nuk shpallet vetëm në tryezat e bisedimeve apo në marrëveshjet e firmosura me bojë të zezë. Ajo ndihet shumë më fort në rrahjet e shpejtuara të zemrës së një familjeje që ribashkohet nën dritën e diellit.
