Mjekë dhe studiues ndërkombëtarë kanë raportuar rezultate që i përshkruajnë si “të parat e këtij lloji” nga një provë klinike për një ilaç të ri të injektueshëm kundër kancerit, i quajtur amibantaumab.
Studimi, i zhvilluar në 11 vende, përfshiu pacientë me kancer të avancuar të kokës dhe qafës, të cilët nuk po i përgjigjeshin më trajtimeve standarde si kimioterapia dhe imunoterapia.
Sipas të dhënave, nga 102 pacientë gjithsej, 43 patën tkurrje të tumorit ose regres të dukshëm, ndërsa 15 prej tyre u raportua se arritën zhdukje të plotë të indit kanceroz. Më shumë se një e treta e pacientëve treguan përgjigje pozitive ndaj trajtimit.
Studiuesit e përshkruajnë efektin e ilaçit si veçanërisht të fortë për një grup pacientësh me prognozë shumë të rëndë, ku opsionet terapeutike janë zakonisht të kufizuara. Sipas profesorit Kevin Harrington nga Institute of Cancer Research London, rezultatet përfaqësojnë “përgjigje me forcë të paparë” në këtë kategori pacientësh.
Amibantaumab po testohet aktualisht në rreth 60 studime klinike për lloje të ndryshme kanceri, përfshirë kancerin e mushkërive, zorrës së trashë, trurit dhe stomakut.
Ilaçi funksionon si terapi e synuar “e zgjuar”, duke bllokuar dy rrugë kryesore të rritjes së tumorit (EGFR dhe MET), ndërkohë që aktivizon edhe sistemin imunitar për të sulmuar qelizat kancerogjene.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është mënyra e administrimit: ilaçi jepet me injeksion nënlëkuror çdo tre javë, duke e bërë më të thjeshtë se trajtimet tradicionale intravenoze dhe më të lehtë për pacientët dhe spitalet.
Studiuesit raportojnë gjithashtu një profil relativisht të menaxhueshëm të efekteve anësore, me shumicën e rasteve të lehta deri mesatare dhe një shkallë të ulët ndërprerjeje të trajtimit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar efektivitetin dhe sigurinë afatgjatë të terapisë para se ajo të përdoret gjerësisht në praktikën klinike./kb
