Rafael Behr*
Në shtator 2022, shtatë muaj pas nisjes së luftës së plotë në Ukrainë – që ishte parashikuar të zgjaste vetëm pak javë – nxënësit rusë nisën mësime të detyrueshme patriotizmi. Që atëherë, mëngjeset e së hënës i kushtohen “bisedave për atë që është e rëndësishme”: lavdisë së historisë kombëtare; pabesisë perëndimore; virtytit të vetësakrificës për Atdheun; udhëheqjes së mençur të Vladimir Putinit.
Regjimet autoritare nuk u besojnë kurrë njerëzve ta duan vendin e tyre spontanisht. Identiteti kombëtar organik, ai që rritet pa kultivim shtetëror, përmban histori kundërshtimi dhe veçanti kulturore. Larmia është subversive.
Patriotizmi në mënyrën nacionaliste është uniform dhe pa humor. Qytetari duhet të ndiejë përulësi përballë historisë së vendit, sepse përulësia është rrugë drejt nënshtrimit. Një brez i mësuar të adhurojë heronjtë e së kaluarës më lehtë bëhet i bindur ndaj një udhëheqësi që premton rikthimin e madhështisë së humbur.
Edhe Reform UK kërkon që shkollat të mësojnë një “kurrikul më patriotike”. Suella Braverman, e larguar nga konservatorët dhe e emëruar javën e kaluar si zëdhënëse për arsimin e Nigel Farage, ka premtuar një program historie që “nxit dashurinë për vendin tonë të madh”.
Kjo shihet si e nevojshme për të korrigjuar njëanshmërinë liberale që, sipas tyre, dëmton vetëbesimin kombëtar duke ekspozuar të rinjtë ndaj portretizimeve negative të perandorisë britanike. Arsimi nuk ka qenë kurrë në qendër të fushatave të Farage. Si udhëheqës i një grupimi të suksesshëm kundër BE-së dhe kundër emigracionit, ai nuk kishte nevojë të zgjerohej në fusha të tjera. Por tani ai dëshiron të duket si kryeministër në pritje. I duhet një platformë më e gjerë.
Mikromenaxhimi i klasës është vazhdim logjik i shqetësimit për numrin e banorëve të lindur jashtë vendit. Një parti që e përkufizon madhështinë kombëtare duke iu referuar një të kaluare më monokulturore duhet të vendosë kufij të identitetit të brendshëm po aq rreptë sa kontrollon kufijtë e jashtëm. Axhenda e Reform është nacionalizëm klasik. Po t’i jepet rasti, Braverman do t’i mbushë tekstet me “biseda për atë që është e rëndësishme”.
Britania, duhet thënë, nuk është Rusia – dhe Farage nuk është Vladimir Putin. Ai nuk e përçmon hapur demokracinë, as nuk udhëhiqet nga etja për gjak e territor.
Megjithatë, Farage nuk e pëlqen t’i kujtohet se dikur e quajti presidentin rus liderin botëror që admironte më shumë “si operator, por jo si qenie njerëzore”. Më vonë, ai e ka quajtur Putinin “përbindësh” dhe “jashtëzakonisht të rrezikshëm” – një qëndrim që nuk e shprehte kur ishte komentator i rregullt në RT, kanalin propagandistik të Kremlinit, para se t’i hiqej licenca e transmetimit në Britani.
Farage ka ndarë shpesh analizën ruse se Ukraina e solli luftën mbi vete duke kërkuar partneritet tregtar me BE-në. Ai u bë më kritik ndaj Putinit kur u pa qartë se opinioni publik britanik ishte në mbështetje të Kievit dhe se admirimi për një diktator brutal ishte politikisht toksik.
Çfarëdo që të mendojë sot Farage, nga Moska politika e tij është dhuratë e vazhdueshme. Brexit ishte një akt vetëdëmtimi strategjik që dobësoi Britaninë dhe destabilizoi BE-në. Nuk është rastësi që shërbimet ruse rekrutuan Nathan Gill, ish-eurodeputet i Ukip dhe Partisë së Brexit, i cili më parë kishte qenë drejtues i Reform në Uells.
Nuk duhet domosdoshmërisht komplot apo para që Reform të jetë e dobishme për Rusinë. Ky funksion kryhet automatikisht nga çdo lëvizje nacionaliste që refuzon normat liberale dhe themelet ligjore të paqes evropiane pas Luftës së Dytë Botërore – nga Rassemblement National në Francë, te Fidesz në Hungari, Vox në Spanjë dhe Alternative für Deutschland në Gjermani.
Politikanët që minojnë solidaritetin mes demokracive evropiane janë miq të Putinit, me vetëdije apo jo. Ata janë gjithashtu kandidatë për patronazhin e Donald Trump. Të gjithë bien dakord në një pikë: toleranca liberale ndaj diversitetit seksual dhe etnik dobëson fibrën morale të kombit.
Patriotizmi “i vërtetë” përkufizohet si besim në epërsinë e të bardhëve heteroseksualë të krishterë dhe gatishmëri për ta forcuar atë me politika kundër emigracionit dhe për rritjen e lindshmërisë “autoktone”. Sa më tej të shkojnë liderët në këtë drejtim, aq më shumë rriten gjasat për mbështetje nga rrjetet e djathta amerikane.
Kur Reform premton masa të koduara sipas stilit Maga – si një Komandë Deportimi sipas modelit të ICE – mesazhi nuk synon vetëm votuesit vendas, por edhe audiencën ndërkombëtare.
Kontradiktat e nacionalizmit zgjidhen përmes përkushtimit ndaj liderit. Partia mund të besojë një gjë sot dhe një tjetër nesër; të ketë një mysliman praktikant në podium dhe racistë të hapur në radhë; të jetë instinktivisht pro-Kremlin dhe taktikisht anti-Putin. Ajo që ka rëndësi është që vijën ta caktojë Farage – dhe të gjithë ta ndjekin.
Sepse kombet janë gjëra komplekse e të larmishme, të përbëra nga individë me nevoja të ndryshme e shpesh kontradiktore. Herët a vonë, nacionalistët e përkufizojnë patriotizmin si atë që thotë lideri – dhe këdo që kundërshton e quajnë tradhtar.
Reform UK nuk do të jetë ndryshe. Dhe nëse, siç shpresoj, mbështetja për të arrin një tavan para se të marrë pushtetin, kjo do të jetë arsyeja: ka mjaft britanikë që e duan vendin e tyre pa e barazuar dashurinë me nënshtrimin ndaj vullnetit të Nigel Farage.
*Rafael Behr është kolumnist i Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
