Last Updated on 17/03/2026 by Leonard
Nga Mentor Hoxha, Francë
Më shumë se 48 milionë votues u thirrën në qendrat e votimit në Francë të dielën, më 15 mars, për raundin e parë të zgjedhjeve komunale. Ky raund, shënoi një fazë kyçe për qeverisjen lokale për gjashtë vitet e ardhshme. Pjesëmarrja kombëtare e votuesve ishte afërsisht 57%, një rritje e konsiderueshme krahasur me zgjedhjet e vitit 2020 (44.7%) që u shënuan nga kriza shëndetësore. Nga 3,283 bashki franceze, 2,340 tashmë kanë një listë të zgjedhur me më shumë se 50% të votave në raundin e parë, 943 bashki të tjera do të duhet të organizojnë një raund të dytë të dielën, më 22 mars, pra 28.72% për të zgjedhur drejtuesit.
Raundi i parë nuk nxorri asnjë fitues në tre qytetet më të populluara franceze (Paris, Marsejë dhe Lyon) kështu që fituesit do të përcaktohen në raundin e dytë. Parisi do të shkojë drejt një gare pesëpalëshe në raundin e dytë. Kandidatët që siguruan balotazhin në raundin e parë janë: Emmanuel Grégoire (PS, L’Union de gauche et des écologistes, Bashkimi i të Majtës dhe të Gjelbërve, 37,98%), Rachida Dati (LR, Union droite, 25,46 %), Sophia Chikirou (LFI, Le Nouveau Paris Populaire, 11, 72 %), Pierre-Yves Bournazel (Horizons, Union Centre, 11, 34%) dhe Sarah Knafo (Reconquête, 10,40%).
Dueli i dytë në Marsejë do të zhvillohet midis kryebashkiakut 48-vjeçar në detyrë me prirje të majta, Benoît Payan (36.62% të votave) dhe kandidatit të Tubimi Kombëtar (RN), Franck Allisio (35.08%).
Lyoni do të ketë dy kandidatë në balotazh: Kryetarin aktual të Bashkisë, ekologjistin Grégory Doucet dhe kandidatin e krahut të djathtë dhe të qendrës, Jean-Michel Aulas, pasi kandidatja e LFI, Anaïs Belouassa-Cherifi, që mori pak më shumë se 10% të votave është tërhequr nga gara e mëtejshme. Nuk dihet nëse ajo dhe partia e saj La France Insoumise e drejtuar nga Jean-Luc Melenchon do të mbështesin kryetarin aktual, pasi në zgjedhjet e kaluara komunale dhe parlamentare kanë qenë në të njëjtin formacion (PS, të gjelbrit, LFI, PCF).
LYONI SURPRIZA E MADHE E KËTYRE ZGJEDHJEVE
Surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve ndodhi në Kryeqytetin e Galëve në Lyon pasi favoriti në sondazhe Jean-Michel Aulas, përfundoi i dyti pas kandidati të Partisë së Gjelbër Grégory Doucet, kryetari aktual i Bashkisë së Lyonit. Ish-presidenti i Olympique Lyonnais e kaloi kundërshtarin e tij në arondissementet e 2-të dhe të 6-të, distrikte tradicionalisht me prirje të djathta, si dhe në arondissementet e 5-të, të 8-të dhe të 9-të. Doucet fitoi në arondissementet e 1-rë, të 3-të, të 4-të dhe të 7-të. “Sapo u shpallën rezultatet e para, gëzimi shpërtheu në selinë e fushatës së krahut të majtë në Rue de la Part-Dieu në arondissementin e 3-të. Grégory Doucet, i cili kryeson në raundin e parë me 37.36% të votave, e la pas Z. Jean-Michel Aulas, i cili mori vetëm 36.78%. Sondazhet kishin parashikuar të kundërtën, duke sugjeruar ndonjëherë se Aulas mund të siguronte fitoren që në raundin e parë. Ky rezultat sugjeron një fitore për të majtën e bashkuar në raundin e dytë të dielën, më 22 mars, me transferimin e mundshëm të votave nga pesë kandidatët e tjerë të krahut të majtë dhe të La France Insoumise (10.41%), shkruan Le monde. I pezmatuar nga rezultati, Jean-Michel Aulas u shfaq në televizion nga selia e tij e fushatës në arondissementin e 8-të. Ai vazhdon me metaforën sportive, duke premtuar “një ndeshje të dytë”.
Surpriza tjetër e madhe në Lyon ishte rizgjedhja që në raundin e parë në Oullins-Pierre-Bénite e Z. Jérôme Moroge. Ai kandidoi nën flamurin e partisë së tij, Les Républicains (Republikanët). “Kryetari aktual i bashkisë, Jérôme Moroge ka pasur sukses në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur kryetar i bashkisë së sapoformuar të Oullins-Pierre-Bénite. Dhe këtë herë, kutitë e votimit dhanë një vendim të padiskutueshëm: Ai fitoi në raundin e parë me 59.03% të votave të hedhura. Ai fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese me listën e re që kishte formuar. 7,410 votues zgjodhën të votonin për të” shkruan Le progres.
RISITË E KËTYRE ZGJEDHJE BASHKIAKE
Këto zgjedhje sollën edhe një ndryshim të madh elektoral në Francë. “Tre qytetet më të populluara në Francë, Parisi, Lioni dhe Marseja zgjedhin kryetarët e tyre të bashkive me votim të përgjithshëm. Zgjedhjet për këshillat e arondismentit – ose këshillat sektoriale në Marsejë – të cilat më parë shërbenin për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, ende mbahen, por plotësohen nga një zgjedhje në të gjithë qytetin, duke u lejuar qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejt magjistratin e tyre kryesor”.
Emmanuel Grégoire, duke kryesuar në Paris me 37.98%, kryesoi gjithashtu sondazhet në distriktet qendrore (1, 2, 3, 4, 5, 9 dhe 10), distriktet lindore (11, 12, 13 dhe 20) dhe në distriktet veriore (18 dhe 19). Rivalja e tij, Rachida Dati, mori 25.46% të votave dhe doli e para në distriktet perëndimore (14, 15, 16 dhe 17), si dhe në bastionet e tjera të krahut të djathtë (6, 7 dhe 8).
Në Marsejë, kryetari aktual i krahut të majtë, Benoît Payan, udhëhoqi garën, përpara kandidatit të Tubimi Kombëtar (RN, Rally National), Franck Allisio (35.08%).
Kryetari aktual i bashkisë ishte në vendin e parë në arondisementet 1 deri në 7, si dhe në arondisementet 14, 15 dhe 16, “distriktet veriore”. Rivali i tij nga ana tjetër, e dominon atë nga arondisementet 8 deri në 13, më në lindje në Marsejë.
Në kryeqytet, ndërsa arondisementi i 5-të zgjodhi kandidatin e koalicionit të krahut të majtë, Emmanuel Grégoire, në nivel bashkie, ai e vendosi kryetaren aktuale të bashkisë, Florence Berthout (Union au Centre, Bashkimi i Qendrës), në vendin e parë në zgjedhjet e tjera. E njëjta gjë vlen edhe për arondisementin e 9-të dhe Delphine Bürkli (Union à droite, Bashkimi i së Djathtës). Në Paris, tre kryetarë bashkishë u zgjodhën në raundin e parë: Rachida Dati në të 7-tin dhe Jérémy Redler në të 16-tin për të djathtën, dhe Jérôme Coumet në të 13-tin për të majtën. Nga gjashtëmbëdhjetë sektorët parizienë – katër arondisementet e para të kryeqytetit të grupuara nën etiketën “Paris Centre” (Qendra e Parisit) e majta fitoi nëntë në qershor 2020, krahasuar me gjashtë për të djathtën dhe një për qendrën. Në Marsejë, pesë bashki u fituan nga e majta e bashkuar, por tre nga Les Républicains (Republikanët).
Në Lyon (kryeqytetin e Galisë), shtatë nga nëntë distrikte ranë në duart e së majtës dhe të Gjelbërve dhe dy në ato të së djathtës.
Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ishte rënia e të Gjelbërve, të cilët të zgjedhjet e kaluara komunale të vitit 2020 fituan shumicën e bashkive në Francë, përfshirë Lyon, Strasburg, Bordeaux, Tours, Besançon, Annecy dhe Grenoble. Këtë herë, kandidatët e Gjelbër e gjejnë veten ndonjëherë në krye të podiumit me një diferencë të ngushtë, ndonjëherë në një pozicion shumë të pasigurt për raundin e dytë. Zgjedhjet e së dielës, më 15 mars, vënë në pikëpyetje rolin e partisë brenda të majtës, të zënë në duelin e brendshëm midis Partisë Socialiste (PS) dhe La France Insoumise (LFI).
ALEANCAT, KALKULIMET, STRATEGJITË DHE BASHKIMET TEKNIKE PËR NË RAUNDIN E DYTË
Pas rezultateve në raundin e parë, partitë dhe kandidatët e partive që siguruan balotazhin në raundin e dytë kanë nisur kalkulimet dhe aleancat politike majtas, djathtas dhe në qendër. Themeluesi i La France insoumise (LFI) po bën thirrje për lidhje më të ngushtë me partitë e tjera të krahut të majtë për të mposhtur të djathtën, ndërkohë edhe partitë e djathta dhe të qendrës po kërkojnë aleatë dhe mbështetje nga partitë me bindje të përafërta ideologjike për të triumfuar në raundin e dytë. Sekretarja Kombëtare e Les Ecologistes (Ekologjistët), Marine Tondelier dëshiron të luajë rolin e arbitrit dhe të “gjejë zgjidhje” në disa qytete ku e majta mund të fitojë. Pas rezultateve të përziera, të Gjelbrit po luajnë përsëri rolin e “lidhjes” midis LFI dhe Partisë Socialiste për të shpëtuar qytetet ku e majta është në balotazh. Divorci i Bllokut të majtë (PS, PCF, të Gjelbrit) me LFI (Franca e papërkulur e Jean-Luc Melenchot e ka vështirësuar shumë pozitën e kandidatëve të këtij blloku në këto zgjedhje. Në radion France Inter, ish-Presidenti socialist i Francës, François Hollande komentoi rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve komunale. Pavarësisht përparimit të La France Insoumise (LFI), të cilin deputeti socialist e pranoi disi me ngurrim, ai beson se surprizat më të mëdha erdhën nga tre qytetet kryesore: Parisi, Lioni dhe Marseja, ku “e majta, duke përjashtuar LFI-në, doli në krye, gjë që ishte e papritur”. Në Marsejë, kandidati i RN arriti rezultate shumë të mira dhe përbën një kërcënim serioz për të majtën në këtë bashki.
VOTA E SHQIPTARËVE NË KËTO ZGJEDHJE
Një rol të rëndësishëm në fitoren e kandidatëve në këto zgjedhje po luan edhe vota e shqiptarëve. Në Francë ndodhen rreth 45 mijë shqiptarë. Ishte pikërisht vota e komunitetit shqiptar në Paris që i dha në vitin 1977 mandatin e Kryetarit të Bashkisë së Parisit Z. Jacques Chirac, President i Francës në vitet 1995-2002. Ai ua shpërbleu shqiptarëve në Paris. Pas një viti në detyrë si kryebashkiak ai vendosi të emërojë një shesh në qendër të Parisit me emrin e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Vendimi u mor më 10 korrik 1978 nga Këshilli Bashkiak i Parisit. Me këtë vendim, Shirak dhe Këshilli Bashkiak i Parisit plotësuan kërkesën dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve të Parisit duke e bërë të njohur figurën e Heroit Kombëtar Shqiptar pasi Parisi është kryeqyteti më i vizituar në botë. Inagurimi i sheshit u bë më 6-7 maj 1980 ku mori pjesë gjithë diaspora shqiptare e Parisit dhe personalitete të larta franceze. Në hyrje të këtij sheshi shkruhet në frëngjisht: “Place Skanderbeg 1405-1469, Héros Albanais”.
