Last Updated on 29/11/2026 by EL
Edhe protesta e 28 Nëntorit në Tiranë, e paralajmëruar me pompozitet si një kthesë e madhe politike, përfundoi në të njëjtin skenar të njohur si herët e kaluara. U nisën të largojnë qeverinë nga pushteti, por e “larguan” deri në Vlorë, atje ku u shpall edhe pavarësia. Në këtë klimë, ku opozita shqiptare ka pjesën e saj të përgjegjësisë, vlen një krahasim i thjeshtë me kohën kur mazhoranca e sotme ishte në opozitë pas humbjes së vitit 2005.
Kur PS-ja ishte në opozitë, përpiqej ta bindte qytetarin se kishte një alternativë qeverisëse, kurse me opozitën e sotme duket sikur synimi është të prodhojë pamje sa më spektakolare për ekranet televizive dhe rrjetet sociale brenda e veçanërisht jashtë Shqipërisë. Gurët, flakët, bombat molotov dhe përplasjet me policinë po zënë gjithnjë e më shumë vend në skenën e saj politike.
Partia Demokratike si dhe partitë e Shehajt, Lapajt e Qorit, kanë në dispozicion mjete të mirëfillta politike dhe institucionale si parlamenti, mediat tradicionale dhe sociale, protestën paqësore dhe komunikimin me elektoratin. Në vend që t’i përdorin këto mjete për të ndërtuar një alternativë, opozita duket sikur kërkon ta zëvendësojë konkurrencën politike me përplasje fizike.
Protestat opozitare mund të mos jenë gjithnjë të buta e pa tension. Një opozitë që nuk krijon presion ndaj qeverisë nuk e përmbush rolin e saj. Protestat e forta janë ndër mjetet më të rëndësishme që ka opozita për të detyruar pushtetin të dëgjojë. Por nëse presionin politik e ka detyrë ta ushtrojë opozita, dhunën ndaj institucioneve dhe forcave të rendit nuk ka logjikë që ta paraqesë si strategji të vazhdueshme politike.
Liderët e PS-së dikur në opozitë, përtej episodit të izoluar të 21 Janarit 2011, nuk e kthyen dhunën në rutinë politike, por përpiqeshin të fitonin edhe betejën e perceptimit publik. E dinin se nuk mjaftonte të ishe për çdo gjë kundër qeverisë, por duhej të tregoje edhe pse duhej ta zëvendësoje atë. Sot, kur pamjet e dhunës zënë vendin e argumenteve, çfarë po i ofrohet qytetarit përtej zemërimit ndaj qeverisë?
Një protestë qoftë edhe e dhunshme mund të tërheqë vëmendje dhe të krijojë tension, por asnjëra prej këtyre nuk zëvendëson organizimin dhe aftësinë për të bindur qytetarët. Në çdo rrethanë pushteti merret duke ndërtuar një alternativë të besueshme që qytetarët duan ta votojnë. Përndryshe, do na duhet të themi që dikur kishim një opozitë institucionale që përdorte mjete politike me të cilat erdhi në pushtet, dhe kaluam në një opozitë kinematografike që po përdor mjete piroteknike si një regjisore e dështuar. Dhe pastaj habiten pse populli nuk shkon ta shikojë filmin e tyre në kinema ditën e zgjedhjeve.
