Last Updated on 27/07/2025 by adminfjala
Prof. Dr. Fran Gjoka
“Natyra nuk është një vend për të vizituar. Ajo është shtëpia jonë.”— Gary Snyder
Kjo thënie sublimon lidhjen tonë të brendshme me natyrën dhe thekson se studimi në fushat e shkencave të jetës është një rrugë për të jetuar në harmoni me të – jo thjesht për ta vizituar, por për ta kuptuar dhe ruajtur si shtëpinë tonë. Në të njëjtën kohë, studimi në këto fusha u jep studentëve njohuritë dhe aftësitë për t’u përballur me sfidat e kohës sonë, si ndryshimet klimatike, sigurimi i ushqimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, ruajtja e biodiversitetit, menaxhimi i ujit dhe tokës, si dhe zhvillimi i teknologjive të reja për një mjedis më të shëndetshëm.
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) besojmë se pasioni për natyrën dhe jetën është themeli i çdo karriere të suksesshme në shkencat e jetës. Nga toka dhe uji te bimët dhe kafshët, programet tona të studimit ju ftojnë të eksploroni, të mësoni dhe të ndërtoni të ardhmen tuaj profesionale. Në këtë shkrim të shkurtër prezantojmë ofertën e re akademike të UBT-së, me programe inovative dhe bursa për degët prioritare, që ju ndihmojnë të ktheni pasionin tuaj në profesion.
Zgjedhja e diplomës është hapi që përcakton rrugën tuaj drejt së ardhmes. Për mijëra maturantë, ky është vendimi më i rëndësishëm që formëson vitet e ardhshme dhe hap dyert drejt një karriere të qëndrueshme. Zgjedhja duhet të bazohet te pasionet personale, perspektivat e punësimit dhe cilësia e programeve. Prindërit kanë një rol të rëndësishëm udhëzues, por të rinjtë sot kanë më shumë autonomi për të ndjekur aftësitë dhe aspiratat e tyre.
UBT – lider në shkencat e jetës dhe më gjerë. Universiteti Bujqësor i Tiranës, i themeluar në vitin 1951, është institucioni më i madh dhe më i vjetër në vend për shkencat e jetës – tokën, ujin, bimët, kafshët dhe ekosistemet – me një trashëgimi të shkëlqyer të ekselencës akademike dhe kërkimore.
Programet e reja, që përbëjnë ofertën akademike të UBT-së, janë të certifikuara nga Universiteti BOKU i Vjenës dhe përfshihen në listën e degëve prioritare që ofrojnë bursë shtetërore të barabartë me pagën minimale, sipas vendimit të qeverisë shqiptare. Kampusi i ri modern, laboratorët kërkimorë, fermat didaktike dhe stafi akademik i kualifikuar e i përkushtuar, së bashku me mundësinë për të ndjekur një pjesë të studimeve në universitetin partner BOKU, krijojnë kushte ideale për zhvillim profesional dhe personal. Studentët përfitojnë nga praktikat, kërkimet dhe rrjetet ndërkombëtare, duke u përgatitur në mënyrë konkurruese për tregun e punës, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Oferta e re akademike (2025–2026) përfshin 9 programe Bachelor, prej të cilave 6 në shkencat e jetës:
1) Shkencat Bujqësore dhe Siguria Ushqimore, me profilet: Agronomi, Hortikulturë, Mbrojtje Bimësh, Zootekni, Akuakulturë dhe Peshkim.
2) Inxhinieri Mjedisi dhe Uji, me profilet: Menaxhimi i Ujit dhe Menaxhimi i Burimeve Natyrore.
3) Teknologji Informacioni (IT) në Bujqësi dhe Mjedis – teknologji digjitale për menaxhim inteligjent.
4) Inxhinieri Pyjore, me profilet: Menaxhimi i Ekosistemeve Pyjore, Mbrojtja e Natyrës dhe Biodiversitetit.
5) Teknologji Ushqimore.
6) Ushqimi dhe Shkencat e të Ushqyerit – siguria ushqimore dhe shëndeti përmes ushqyerjes.
Programe që lidhin shkencën me sipërmarrjen dhe krijimtarinë:
7. Ekonomiks, me profilet: Ekonomia dhe Politikat e Zhvillimit, Ekonomiksi i Aplikuar.
8. Menaxhimi i Biznesit, me profilet: Menaxhim Agrobiznesi, Menaxhim i Turizmit Rural.
9. Dizajni i Interierit dhe Inxhinieri Druri, me profilet: Teknologjia e Drurit, Dizajni i Mobiljeve dhe Interierit.
Bursa dhe përfitime: Të gjitha programet e reja janë në listën e degëve me bursë shtetërore të barabartë me pagën minimale, duke ulur ndjeshëm barrën financiare për familjet. Diplomat e UBT-së, të certifikuara nga BOKU e Vjenës, ofrojnë një avantazh real në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.
Nga pasioni te profesioni: zgjidh shkencat e jetës dhe bëhu pjesë e ndryshimit që bota kërkon.