David Beckham ndoqi nga afër ndeshjen mes Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, e zhvilluar në Miami.
Presidenti i Inter Miami ka mbetur i impresionuar nga paraqitja e portierit Vozinha, i cili u dallua me disa pritje të rëndësishme ndaj Argjentinës dhe Lionel Messit. Portieri 40-vjeçar u dorëzua vetëm në kohën shtesë, pas një ndeshjeje ku ishte ndër lojtarët më të spikatur të ekipit të tij.
Vozinha aktualisht është lojtar i lirë, pasi ka përfunduar kontratën me Chaves në Divizionin e Dytë portugez. Sipas raportimeve, Inter Miami po shqyrton mundësinë e transferimit të tij në MLS. Lionel Messi ka vlerësuar publikisht performancën e portierit të Kepit të Gjelbër.
Për Vozinhën ka interes edhe nga Amerika e Jugut, ku dy klube braziliane po monitorojnë situatën e tij. Ndërkohë, edhe disa skuadra evropiane kanë nisur të interesohen për të ardhmen e një prej portierëve më të përfolur të këtij Botërori./mxh
