Last Updated on 22/04/2026 by EL
Tremujori i parë i vitit 2026 ka sjellë një panoramë të përzier për shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit, ku vihet re një rritje e ndjeshme e eksporteve drejt disa partnerëve kryesorë, ndërsa në disa tregje të tjera është shënuar tkurrje e lehtë.
Gjatë periudhës Janar-Mars 2026, eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në rreth 9.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 13.3%, duke e konfirmuar këtë treg si partnerin më të rëndësishëm në rajon dhe një nga shtyllat kryesore të eksporteve shqiptare. Rritje e fortë është shënuar edhe drejt Maqedonisë së Veriut, ku eksportet u zgjeruan me 25%, duke arritur në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa edhe Mali i Zi regjistroi një rritje më të moderuar prej 9.6%.
Në të kundërt, tregtia me Serbinë shfaqi shenja dobësimi. Eksportet drejt këtij vendi ranë me rreth 3.8%, duke reflektuar një ngadalësim të kërkesës në këtë treg. Ndërkohë, eksportet drejt Bosnje Hercegovinës shënuan një rritje më të kufizuar prej 5.6%, duke mbetur në nivele relativisht më të ulëta krahasuar me partnerët e tjerë rajonalë.
Sa i përket rrjedhës së mallrave drejt Shqipërisë, importet paraqesin një tablo më të larmishme. Rritja më e fortë e importeve është shënuar nga Bosnje Hercegovina, me një zgjerim prej 32.2%, ndërsa importet nga Kosova u rritën me 11.7%, duke reflektuar rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Në të kundërt, importet nga disa partnerë të tjerë të rajonit kanë shënuar rënie. Shqipëria ka blerë më pak mallra nga Mali i Zi, ku importet ranë me 39%, si edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me rënie përkatësisht 8.5% dhe 6.9%, duke treguar një zhvendosje të pjesshme të burimeve të furnizimit.
Në tërësi, të dhënat për tremujorin e parë tregojnë një forcim të lidhjeve tregtare me disa tregje kyçe të rajonit, veçanërisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa marrëdhëniet tregtare me disa partnerë të tjerë mbeten më të paqëndrueshme dhe të ndikuara nga luhatjet e kërkesës në tregjet përkatëse./et
