Nga Sejdin Cekani
Vitet e para të punës si gazetar ishin si një universitet i dytë e madje më shumë se aq. Jo vetëm se puna në gazetë të jepte mundësinë t’i bije kryq e tërthor Shqipërisë, të shkoje në qytete, qyteza e krahina që vetëm emrin ua kishe dëgjuar, por të lejonte të takoje njerëz të ndryshëm: që nga zyrtarët e rangjeve të gjithëfarëllojta e deri te minatorët, kooperativistët, mjeshtrit e prodhimit, artistët, ushtarakët apo fëmijët e shkollave, por mbi të gjitha ta shihje e ta prekje nga afër gjithë mekanizmin e funksionimit të shtetit, që asokohe kishte filluar të ngecte, të konsumohej e të shkërmoqej dalëngadalë.
Ndonëse që atëherë kanë kaluar vite të tëra, në mendje gjëllijnë qindra kujtime e mbresa nga personazhe realë me të cilët je takuar, ke biseduar apo dhe ke shkëmbyer cigare: punëtorë e specialistë me emër të industrisë në Rafinerinë e Naftës në Ballsh e në Uzinën e Nikel-Kobaltit në Metalurgjik; ndërtues veprash energjetike në Koman e Banjë; minatorë të Skroskës e Përrenjasit; kooperativistë e blegtorë në Vithkuq të Korçës, në Roshnik të Beratit, në Erind të Gjirokastrës e në Bujan të Tropojës; ushtarë e oficerë të Flotës Luftarake Detare që të linin pa fjalë e të shtangnin me veprimet dhe manovrat e rrufeshme që kryenin në nëndetëset e bazës së Pashalimanit; ekonomistë, mjekë e mësues në zona të thella malore; të rinj me profesione e formime të ndryshme kulturore; këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë virtuozë të Koncerteve të dikurshme të Majit; aktorë të shquar të Teatrit Popullor dhe të Kinostudios; por edhe burokratë, ofiqarë, funksionarë të rangjeve të ndryshme të partisë-shtet e deri zyrtarë e nëpunës të thjeshtë.
Një pjesë e këtyre personazheve dhe e mendimeve të tyre, për mirë a për keq, zinin vend në faqet e gazetës, po ndërkaq ishin edhe ato “të pathënat” për varfërinë, mjerimin dhe fatet e shumë njerëzve që duhej t’i mbaje vetëm brenda vetes, çka ishin vërtet një peng i madh dhe rëndonin në ndërgjegje.
Veç të tjerash, e kam fjalën sidomos për dy pamje të mjerueshme që nuk të hiqeshin nga mendja. E para, kur rastiste të kaloje nëpër fshatrat e zonave kodrinore e malore, sidomos gjatë muajve të dimrit, dhe në anë të ngastrave ku punonin tokën, fshatarët ndalonin një çast punën për të ngrënë “drekën” dhe pjesa më e madhe e tyre nxirrnin nga torbat një copë bukë misri të verdhë dhe e hanin vetëm me pak gjizë, ndonjë spec turshi apo dhe një gjysmë qepe. Ishte koha kur atyre nuk iu lejohej më të mbanin as bagëti, madje dhe as pula, sepse, për shkak të hiperkolektivizimit, kishte filluar i ashtuquajturi “tufëzim i bagëtive”.
Ndërsa pamja tjetër e dhimbshme ishte ajo e fëmijëve me fytyra verdhacuke që, ditëve me shi e borë, gjatë dimrave, ecnin ndonjë orë a më shumë më këmbë nga shtëpitë për të shkuar në shkollë, të lagur nga koka te këmbët, me rrobat gjithë arna e me çizme llastiku apo opinga thesi të shqyera. Ata dilnin nga shtëpitë në orën shtatë të mëngjesit dhe ktheheshin pasdite vonë, pa vënë asgjë në gojë, të lodhur e të pangrënë prej 7-8 orësh.
Secili prej nesh ruan mbresat e veta nga puna në vitet e para pas daljes nga auditorët e fakulteteve, kur u përballëm me jetën e vërtetë, krejt ndryshe nga ajo që e kishim përfytyruar apo dëshiruar. Mbi të gjitha, ato janë vite të një përvoje jetësore për brezin tonë që u ndodh në kapërcyell të dy shekujve e të dy epokave. Ndaj dhe janë vite të ngarkuara me mbresa, kujtime dhe fakte të pashlyeshme nga vende, ngjarje e personazhe të gjithëllojshme.
