Last Updated on 06/07/2026 by Anisa
Ambasadori gjerman Karl Bergner ka kujtuar viktimat e masakrës së Borovës, teksa nga Kolonja ka folur edhe për protestat dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
I pyetur për protestat në Tiranë dhe ndikimin e tyre në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, ai u shpreh shkurt se veprimtaria civile që respekton standardet evropiane mbështetet, por dhuna nuk është në përputhje me to.
Gazetari: Zoti ambasador, me lejen tuaj, një pyetje të shkurtër. Nëse mund të jepni ndonjë koment rreth protestës? Kemi parë akte dhune, qoftë nga policia, por edhe nga ana e protestuesve. A mundet që këto protesta të ndikojnë në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian? Dhe gjithashtu, a mund të jepni një koment të shkurtër për protestën? Ende nuk keni dhënë asnjë.
Ambasadori: Kam thënë se… çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me vlerat e BE-së… ndërsa protestat e dhunshme sigurisht që nuk janë në përputhje me to. Se kush është fajtori për këtë, etj., kjo mbetet ende një diskutim në vijim.
Protestat (paqësore) janë të mirëseardhura sepse ato mbështesin vlerat e Bashkimit Evropian, ashtu siç i shohim ne ato.
Gazetarja: Faleminderit!
Ambasadori: Faleminderit!
Ndër të tjera ambasadori u shpreh se mbështesin procesin e integrimit në bashkimin Europian, sidomos në pjesën teknike.
“Ky është një moment shumë i dhimbshëm për ambasadën gjermane sepse sot ne jemi këtu për të nderuar viktimat e masakrës gjermane që u bë nga ushtria gjermane në 6 korrik 1943. Është 83 vjetori nga momenti kur 107 burra, gra dhe fëmijë u vranë dhe kjo është e dhimbshme për mua pasi ndaj dhimbjen e popullsisë këtu, për familjet që jetojnë dhe që u prekën nga fakti se nuk mundën ti shohin gjyshërit, xhaxhallarët apo tezet e tyre, vëllezër që nuk u rritën etj.
Është e dhimshme edhe për mua si ambasador sepse kjo ka ndodhur në emër të popullit gjerman por këtu në këtë vend ne duam të shohim përpara, të kujtojmë emrat e atyre që u vranë por gjithashtu duhet të nxjerrim dhe mësime. Të përpiqemi të mësojmë si mund ta parandalojmë që historia të mos përsërisë veten.
Në raste të tjera ne themi kurrë më, ndaj ky është rasti kur themi si ngjarje të tilla mos përsëriten më dhe kjo arrihet duke vendosur rregulla si toleranca, të drejtat e njeriut, zbatimi i ligjit, dhe këto janë vlerat e EU. Ndaj ne mbështesim dhe jemi të lumtur që populli shqiptar është në linjë me këto parime dhe e mbështesim procesin e integrimit sidomos në pjesën teknike por duhet të vlerësojmë edhe ata që zbatojnë vlerat e EU në përditshmëri, por edhe ata që qëndrojnë për të kërkuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit.
Do doja të thoja që ky është një moment që duhet të shërbejë për të mësuar nga e shkuara, për të memorizuar, për të nderuar viktimat dhe ndarë dhimbjen me familjet dhe për të parë përpara”, tha ai./ad
