Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit, nis sonte në mbrëmje me një format krejtësisht historik: tre ceremoni hapjeje në tre vende të ndryshme, duke shënuar herën e parë që një Botëror hapet në mënyrë të shpërndarë mes vendeve organizatore. Spektakli i parë zhvillohet sonte në Mexico City Stadium (Estadio Azteca) në Mexico City, në orën 19:30 me orën e Tiranës, një orë e gjysmë para ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Rreth 87,500 tifozë pritet të mbushin stadiumin legjendar Azteca për një ceremoni madhështore të frymëzuar nga kultura tradicionale meksikane, me elemente të “papel picado”, dekorimet shumëngjyrëshe prej letre që konsiderohen simbol i festës dhe traditës në Meksikë. Organizatorët premtojnë një spektakël me pamje marramendëse, ritme folklorike dhe performanca muzikore të nivelit botëror.
Në qendër të vëmendjes do të jetë Shakira, e cila do të interpretojë këngën zyrtare të turneut “Dai Dai” së bashku me artistin nigerian Burna Boy. Kjo do të jetë një tjetër performancë ikonike e artistes kolumbiane në historinë e Kupës së Botës, pas suksesit global të “Waka Waka” në Botërorin 2010. Një tjetër moment shumë i pritur do të jetë performanca e Andrea Bocelli, i cili së bashku me Ejae do të këndojë himnin zyrtar të Kupës së Botës 2026, të titulluar “ADN”.
Në një deklaratë për FIFA-n, Bocelli u shpreh se futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së tij dhe se interpretimi i himnit në ceremoninë hapëse është një nder i madh. “Kur futbolli është i bukur dhe i ndershëm, ai bëhet pjesë e asaj bukurie që mund të shpëtojë botën”, tha tenori italian.
Përveç Shakirës dhe Bocellit, ceremonia në Mexico City do të sjellë në skenë edhe Tyla, J Balvin, Alejandro Fernández, Lila Downs, Belinda, Danny Ocean, si dhe grupet e njohura Maná dhe Los Ángeles Azules.
Ndeshja Meksikë-Afrikë e Jugut do të jetë sfida e parë zyrtare e Kupës së Botës 2026 dhe starti i një turneu historik me 48 kombëtare pjesëmarrëse, që do të zhvillohet në tre shtete organizatore: Meksikë, Kanada dhe SHBA.
Megjithatë, ceremonia në Mexico City nuk do të jetë e vetmja. Për herë të parë në histori, secili vend pritës do të organizojë ceremoninë e vet të hapjes. Më 12 qershor në Toronto, në orën 19:30 me orën e Tiranës, një orë e gjysmë para ndeshjes Kanada-Bosnjë dhe Hercegovinë, do të mbahet ceremonia kanadeze në BMO Field. Në qendër të spektaklit do të jenë Alanis Morissette dhe Michael Bublé, të shoqëruar nga Vegedream dhe Nora Fatehi.
Ndërkohë, ceremonia e tretë dhe e fundit do të zhvillohet në Los Angeles në orën 01:30 pas mesnate me orën e Tiranës më 13 qershor, para ndeshjes SHBA-Paraguai. Në SoFi Stadium pritet një shfaqje spektakolare me fishekzjarre dhe performanca nga Katy Perry, Future dhe këngëtarja braziliane Anitta, duke mbyllur në mënyrë madhështore serinë historike të ceremonive hapëse të Kupës së Botës 2026./mxh
