Last Updated on 22/04/2026 by Anisa
Mungesa e një marrëveshjeje në lidhje zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka krijuar një klime të tensionuar politike në Kosovë, ku palët fajësojnë njëra-tjetrën.
Së fundmi ka folur kryeministri Kurti, që shprehet se është kundër shkuarjes në zgjedhje të reja. Ai vijon të këmbëngulë për një marrëveshje, pavarësisht se deri më tani çdo përpjekje e tillë ka dështuar.
“Nëse shkojmë në zgjedhje, 10 milionë euro kushtojnë në KQZ. Nëse shkojmë në zgjedhje, për shkak se nuk funksionon Kuvendi, do t’i humbim dhjetëra-milionë euro si shtet dhe nuk do të kemi zgjidhje.
Sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish zgjedhje të reja. Sepse unë nuk e di si të bëjmë 80 deputetë. Duhet të merremi vesh. Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare”, tha fillimisht Kurti.
Kryeministri i Kosovës tregon për prapaskenat dhe sugjerimet që i bëri opozitës. “U takova me LDK-në, i kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në kryesinë e Kuvendit. PDK-së për rrokadë në kryesinë e Kuvendit. Nuk po më duken të gatshëm për marrëveshje. E dini çfarë flitej para një viti.
Tema kryesore ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit. Ku jemi sot pas një viti, Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit. Këto zhurmat e të bërtiturat ndaj VV-së, nuk po na bëjnë dëm neve, po i bëjnë dëm shtetit duke humbur buxhet dhe kohë”, është shprehur ai.
