Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se opozita në Shqipëri është e dobët, duke e lidhur këtë situatë drejtpërdrejt me statusin “non grata” të Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian.
Sipas Ngjelës, Berisha përfaqëson një faktor që, sipas tij, ndikon negativisht në zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe në funksionimin e opozitës në tërësi. Ai shton se mungesa e garës së brendshme në PD lidhet me kontrollin që, sipas tij, ushtron ish-kryeministri.
Avokati theksoi gjithashtu se mazhoranca aktuale nuk ka kundërshtar real dhe po vijon procesin e integrimit pa pengesa serioze, ndërsa opozita mbetet e fragmentuar dhe pa alternativë të qartë.
Deklarata e plotë e Ngjelës:
”E vetmja dobësi antiperëndimore dhe antieuropiane, anti-amerikane në Shqipëri është Sali Berisha, i cili është non grata në Amerikë dhe BE. Është non grata për veprimtari anti-amerikane dhe anti-perëndimore. Roli i maxhorancës në procesin e integrimit është shumë i qartë. Unë jam kundërshtar i socialistëve, por nuk kanë bërë ndonjë gabim në lidhje me integrimin. Ai po vazhdon hap pas hapi normalisht.
Unë jam me konstitucionalizmin, me kushtetutshmërinë. Ka shkelur apo jo maxhoranca ndonjë ligj për imunitetin e Ballukut? Jo. Maxhoranca është zgjedhur nga populli shqiptar. Ajo është një maxhorancë e madhe që për dy vota bëhen me 2/3. Nuk ka kundërshtar. Dobësia është opozita. Maxhoranca nuk ka kundërshtar. Pse s’ka kundërshtar? Shumë e thjeshtë. Kryetari i opozitës është non grata në dy vende.
Fakti që mungon gara në PD është sepse nuk e lë Saliu. Kështu flitet edhe përballë një gjykate. Saliu nuk lë të respektohet demokracia. Cila është demokracia? Që të ketë më shumë se një përfaqësues në garë. Berisha i druhet përballjes”, tha Ngjela në ”Top News”./A.D
