Last Updated on 02/04/2026 by EL
Një samit virtual mbi krizën në Ngushticën e Hormuzit ka nisur, i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga mbi 40 vende, në një përpjekje për të adresuar situatën e tensionuar në rajon.
Gjatë fjalimit hapës, Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, dënoi atë që e cilësoi si “pakujdesi iraniane”, duke theksuar ndikimin e veprimeve të Teheranit në sigurinë ekonomike globale.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, kishte njoftuar një ditë më parë mbajtjen e samitit, duke bërë të ditur fillimisht pjesëmarrjen e mbi 35 vendeve. Qëllimi i takimit është shqyrtimi i opsioneve diplomatike dhe politike për rihapjen e kësaj rruge ujore strategjike, e cila është bllokuar nga Irani në kontekstin e tensioneve me SHBA-në dhe Izraelin.
Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e këtij takimi, ndërsa diskutimet pritet të fokusohen në menaxhimin e krizës dhe stabilizimin e situatës.
Cooper bëri të ditur gjithashtu se, krahas samitit, do të zhvillohen edhe takime të planifikuesve ushtarakë për të shqyrtuar organizimin e një përgjigjeje mbrojtëse kolektive./et
