Rezultatet e një studimi ndërkombëtar, i cili tregon se një injeksion i ri kundër kancerit mund të eliminojë plotësisht tumoret te disa pacientë, kanë mahnitur mjekët dhe kanë rritur shpresat për trajtimin e sëmundjes së rëndë.
Studimi, i zhvilluar në 11 vende të botës, përfshiu pacientë me kancer të kokës dhe qafës, sëmundja e të cilëve ishte rikthyer ose përhapur dhe nuk po i përgjigjej më trajtimeve standarde si kimioterapia dhe imunoterapia.
Injeksioni eksperimental, i quajtur “Amivantamab”, arriti të zvogëlojë tumoret te më shumë se një e treta e pacientëve, ndërsa ndryshime të dukshme u vërejtën vetëm pak javë pas fillimit të trajtimit. Në 15 pacientë, mjekët konstatuan se tumoret ishin zhdukur plotësisht.
Profesori Kevin Harrington nga Instituti për Kërkime mbi Kancerin në Londër e cilësoi rezultatin si jashtëzakonisht të rëndësishëm.
“Këto janë përgjigje tepër të forta te pacientët, sëmundja e të cilëve ishte bërë rezistente ndaj kimioterapisë dhe imunoterapisë. Për këtë grup pacientësh, mundësitë e trajtimit janë shumë të kufizuara, ndaj ky përfitim është vërtet mbresëlënës”, tha ai.
Rezultatet e studimit u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO), konferenca më e madhe botërore në fushën e kancerit. Në provën klinike morën pjesë 102 pacientë me kancer të kokës dhe qafës. Tumoret u zvogëluan ose u zhdukën plotësisht te 43 prej tyre. Nga këta, 28 pacientë patën tkurrje të ndjeshme të tumoreve, ndërsa te 15 pacientë tumoret u eliminuan krejtësisht.
Sipas studiuesve, Amivantamab ka treguar rezultate premtuese edhe te pacientët me kancer të mushkërive. Ilaçi, i zhvilluar nga kompania Johnson & Johnson, po vlerësohet aktualisht në rreth 60 prova klinike për lloje të ndryshme kanceri, përfshirë kancerin e mushkërive, zorrës së trashë, trurit dhe stomakut.
Ky trajtim vepron në tre mënyra njëkohësisht: bllokon proteinën EGFR që ndihmon rritjen e tumorit, pengon mekanizmin MET që qelizat kancerogjene përdorin për t’i shpëtuar trajtimit dhe aktivizon sistemin imunitar për të sulmuar qelizat tumorale. Një tjetër avantazh i rëndësishëm është se Amivantamab jepet me një injeksion të vogël nën lëkurë dhe jo përmes infuzionit intravenoz, duke e bërë trajtimin më të shpejtë dhe më të lehtë për pacientët.
Efektet anësore rezultuan kryesisht të lehta ose të moderuara, ndërsa më pak se 10% e pacientëve u detyruan të ndërprisnin trajtimin. Ekspertët theksojnë se rezultatet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e një grupi pacientësh që zakonisht kanë shumë pak alternativa terapeutike dhe prognozë të vështirë./mxh
