Më shumë se 50 persona u vranë të dielën nga një shpërthim në një ndërtesë në verilindje të Mianmarit, e cila kishte brenda eksplozivë për miniera. Sipas ekipeve të shpëtimit, rreth 70 persona u plagosën nga shpërthimi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kaungtup në Namhkam Township, rreth tre kilometra në jug të kufirit kinez, një zonë e cila kontrollohet nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare Ta’ang (TNLA), një grup etnik rebel që ka luftuar herë pas here kundër qeverisë qendrore të Mianmarit.
Sipas raportimeve lokale, mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa shtohet se shpërthimi dëmtoi shumë ndërtesa banimi në zonën përreth.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimin për njerëz të mbetur nën rrënoja. Në një deklaratë të publikuar në kanalin e saj Telegram, TNLA konfirmoi se departamenti i saj ekonomik kishte ruajtur xhelinit për përdorim në miniera dhe gurore guri.
Xheliniti përdoret gjerësisht në miniera dhe në shpërthimin e shkëmbinjve, por ai mund të bëhet shumë i paqëndrueshëm me kalimin e kohës nëse ruhet në mënyrë të papërshtatshme.
TNLA është pjesë e Aleancës rebele të Tre Vëllezërve, e cila po lufton për autonomi më të madhe për grupet etnike. Grupi kontrollonte zonën Namhkam që kur aleanca dhe aleatët e saj nisën një ofensivë të madhe kundër ushtrisë së Myanmarit në verilindje në fund të vitit 2023. TNLA nënshkroi një armëpushim me ushtrinë e Mianmarit tetorin e kaluar pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kina, por marrëdhëniet mbeten të tensionuara.
Mianmari është përfshirë nga një luftë civile që kur ushtria mori pushtetin në një grusht shteti në vitin 2021 që rrëzoi qeverinë demokratike të udhëhequr nga Aung San Suu Kyi. Ushtria e Mianmarit po përballet me një sërë rebelësh pro-demokraci dhe grupesh të armatosura të pakicave etnike./mxh
