Me siguri mund t’ju ketë ndodhur që dikush t’ju ketë thënë diçka dhe ju të keni mbetur me pikëpyetje, sepse e keni pasur të paqartë të kuptoni nëse ishte kompliment apo thumbim. Janë ato komentet që në sipërfaqe duken të lehta, por që lënë një ndjesi të çuditshme pas. Pikërisht këtu hyn komunikimi pasivo-agresiv: jo i drejtpërdrejtë, por mjaftueshëm për të të vënë në siklet.
Sipas psikologes Dr. Brittany McGeehan, problemi me këto situata është se gjithmonë ka diçka që nuk thuhet hapur. Njerëzit nuk e shprehin hapur atë që ndiejnë, por e “mbështjellin” në një mënyrë që të duket e padëmshme. Pikërisht kjo e bën të vështirë reagimin: sepse nuk ke diçka konkrete për t’u kapur.
Zgjidhja që ajo sugjeron është më e thjeshtë nga sa duket, por shumë efektive. Në vend që të reagosh emocionalisht ose ta kalosh me humor të sforcuar, mund të thuash:
“Interesante kjo që the. Çfarë doje të thoje saktësisht? Mund ta përsërisësh?”
Kjo frazë bën diçka shumë të rëndësishme: e zhvendos bisedën nga nënteksti te fjalët e drejtpërdrejta.
Në momentin që dikush detyrohet ta shpjegojë hapur një koment pasivo-agresiv, zakonisht ndodhin dy gjëra: ose tërhiqet, ose e kupton vetë si tingëllon ajo që tha. Sepse njerëzit që përdorin këtë stil komunikimi shpesh nuk dinë si të flasin hapur, ndaj kur i kërkon të jenë më i qartë, dinamika ndryshon menjëherë.
Sigurisht, jo çdo situatë kërkon një reagim kaq të drejtpërdrejtë. Ndonjëherë mjafton një “ok” i thjeshtë dhe vazhdon përpara, pa e ushqyer fare situatën. Herë të tjera mund të pyesësh thjesht “çfarë do të thuash?”, ose t’i përgjigjesh fjalë për fjalë, pa ironi. Edhe kjo shpesh e çarmatos tjetrin.
Në fund, thelbi është ky: komunikimi pasivo-agresiv ka në bazë të tij nënkuptimet. Në momentin që ti kërkon qartësi, njerëzit me këtë stil komunikimi e humbasin fuqinë./mxh
