Qyteti Terrasa në Katalonjë, Spanjë, ka ndaluar përkohësisht adoptimin e maceve të zeza nga strehat e kafshëve për të ndaluar ritualet e mundshme “mizore” gjatë Hallouinit.
Të gjitha kërkesat për strehimin ose adoptimin e maceve do të refuzohen nga 6 tetori deri më 10 nëntor për t’i mbrojtur nga lëndimi ose përdorimi i tyre si objekte, tha shërbimi vendas për mirëqenien e kafshëve.
Kryetari i bashkisë, Noel Duque, tha për RTVE se gjatë Hallouinit rriten shumë kërkesat për adoptimin e maceve të zeza.
Edhe pse macet e zeza shpesh lidhen me shtrigat dhe shihen si fat i keq në kulturën perëndimore, shumë vende të tjera, si Japonia e Egjipti, i konsiderojnë begati e mbarësi.
Këshilli i qytetit tha se nuk ka pasur raste keqtrajtimi ndaj maceve të zeza, por ka pasur incidente në zona të tjera dhe vendimi u mor pas paralajmërimeve nga grupet e të drejtave të kafshëve.
“Ne përpiqemi t’i ndalojmë njerëzit që të adoptojnë vetëm se mund të jetë trend apo ta bëjnë impulsivisht. Në raste si këto, që ne e dimë se ekzistojnë, për të parandaluar çdo lloj rituali makabër”, tha Duque.
Në Terrasa ka më shumë se 9800 mace dhe qendra e adoptimit ka mbi 100, 12 prej të cilave të zeza.
Këshilli i qytetit theksoi se masa është “e përkohshme dhe përjashtuese” dhe përfaqëson një mbrojtje të shtuar për mirëqenien e kafshëve, por tha se nuk hiqet si mundësi përsëritja e saj në të ardhmen.
Rastet përjashtimore gjatë afatit të përcaktuar do të vlerësohen individualisht nga qendra e adoptimit, kurse kërkesat e zakonshme do të vijojnë pas Hallouinit./kb
Visited 11 times, 1 visit(s) today