Last Updated on 15/07/2026 by Anisa
Nga Roland Lami
Bie në sy një fenomen interesant lidhur me mënyrën se si po interpretohen deklaratat dhe aktet e disa pjesëmarrësve në protestë ku diskursi publik është pushtuar nga gjuha e ashpër, komentet sa vijnë dhe bëhen agresive për kundërshtarin, incidentet sporadike me policinë shtohen dhe thirrjet kundër bizneseve të perceptuara si pranë pushtetit radikalizohen. Të gjithë pothuajse jo pa arsye meren me simptomat dhe jo shkakun. Askush nuk pyet se si u akumulua ky nivel zemërimi, mosbesimi dhe refuzimi ndaj establishmentit politik.
Pyetjet që shmanget me kujdes janë: A mund të zgjohet papritur një segment relativisht i ri në moshë, i arsimuar, urban dhe pjesë e shtresës së mesme siç rezulton nga sondazhet, duke humbur kolektivisht aftësinë për të arsyetuar? A mund të vendosin mijëra njerëz, në të njëjtën kohë, të flasin me gjuhë skajore, të përplasen me policinë dhe të shprehin një refuzim radikal ndaj sistemit vetëm sepse “u çmendën”? Historia politike dhe psikologjia sociale nuk njohin epidemi të tilla spontane të arsyes së humbur. Shoqëritë nuk prodhojnë histeri nga hiçi ato prodhojnë revoltë kur për vite me radhë grumbullohen frustrimi, mosbesimi dhe bindja se institucionet nuk ofrojnë më zgjidhje por kurohen me propogandë si normal.
Paradoksi është se askush nuk duket i interesuar të diagnostikojë gjendjen e sistemit e gjithë energjia përqendrohet te diagnostikimi i qytetarëve. Sistemi trajtohet si pacienti i vetëm që nuk ka nevojë për analiza, ndërsa pjesa më e arsimuar, më urbane dhe më e informuar e shoqërisë paraqitet si rasti klinik që duhet studiuar dhe izoluar në psikiatri. Është më e besueshme, na thuhet, të pranojmë se mijëra qytetarë u çmendën njëherazi, sesa të pranojmë se një sistem politik mund të ketë humbur kontaktin me realitetin.
Në këtë pikë, media dhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar, shpesh të udhëhequr e para nga interesa të ngushta pronarësh tjetra nga logjika e stabilitetit gjeopolitik, të luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e këtij normaliteti. Stabiliteti shpesh trajtohet si sinonim i demokracisë, edhe kur besimi te institucionet bie dhe polarizimi rritet. Siç do të argumentonte Michel Foucault, pushteti nuk kontrollon vetëm institucionet ai kontrollon edhe përkufizimin e asaj që quhet “normale”. Dhe kur normalitetin e përkufizon pushteti, çdo kundërshtim rrezikon të etiketohet si devijim.
Ironia është se në vend që të kurohet ajo që prodhon revoltën, punohet me zell për të patologjizuar revoltën. Sistemi certifikohet si “normal”, ndërsa çdo shenjë mosbesimi ndaj tij interpretohet si simptomë e një çrregullimi shoqëror. Nuk vihet në diskutim normaliteti i sistemit, por racionaliteti i qytetarit.
Kjo nuk do të thotë se dhuna, gjuha e urrejtjes apo sulmet ndaj policisë dhe bizneseve duhen justifikuar. Përkundrazi, ato duhen dënuar pa ekuivok. Por dënimi moral nuk mund të zëvendësojë analizën politike. Një demokraci serioze nuk pyet vetëm pse qytetarët revoltohen në një ditë të caktuar pyet edhe çfarë ka ndodhur gjatë viteve që i ka sjellë deri në atë pikë.
Sepse, në fund, ekzistojnë vetëm dy hipoteza. Ose duhet të pranojmë se pjesa më e iluminuar e shoqërisë është zgjuar një mëngjes me një krizë kolektive çmendurie ndërkohë sistemi funksionon sahat ose duhet të pranojmë se sistemi ka humbur kontaktin me realitetin dhe vazhdon të prodhojë, në mënyrë të përsëritur, mosbesim, zemërim dhe refuzim. Historia e demokracive na mëson se hipoteza e dytë është zakonisht më pak komode, por shumë më afër realitetit.
