Një grua në Queensland të Australisë solli në jetë dy fëmijë përmes të njëjtës shtatzëni, por me prindër biologjikë të ndryshëm. Rasti besohet të jetë i pari i këtij lloji në vend. Situata ishte aq e rrallë sa as ligjet e surrogacisë në Queensland nuk kishin parashikuar më parë diçka të tillë.
Gruaja, identiteti i së cilës është mbajtur anonim në dokumentet e gjykatës, mbeti shtatzënë natyrshëm dhe në mënyrë të paplanifikuar, pothuajse në të njëjtën periudhë kur iu transferua përmes fekondimit in vitro (IVF) embrioni i një çifti tjetër, si pjesë e një marrëveshjeje surrogacie.
Të dy fëmijët lindën me prerje cezariane në të njëjtën ditë, në nëntor 2025. Që prej lindjes, secili është rritur nga prindërit e vet biologjikë dhe mes dy familjeve nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje për kujdestarinë.
Megjithatë, rasti përfundoi në Gjykatën e Fëmijëve në Queensland, sepse ligjet e surrogacisë janë hartuar në mënyrë që të mos lejojnë ndarjen e fëmijëve të lindur nga e njëjta shtatzëni surrogate.
Gjykata vendosi përfundimisht se, megjithëse dy fëmijët ishin “binjakë gestacionalë”, ata nuk duhej të konsideroheshin “fëmijë të lindur nga e njëjta shtatzëni” në kuptimin e ligjit të surrogacisë. Në rastin e binjakëve të lindur nga një shtatzëni surrogate, ligji parashikon që të dy fëmijët të kenë të njëjtët prindër ligjorë. Por, për shkak të rrethanave unike të këtij rasti, gjykata arriti në përfundimin se kjo dispozitë nuk mund të zbatohej.
Si ndodhi shtatzënia e pazakontë
Të dy çiftet ishin njohur përmes miqve të përbashkët dhe kishin hyrë në një marrëveshje surrogacie. Njëri prej çifteve nuk mund të kishte fëmijë, pasi gruaja kishte lindur pa mitër. Ata u njohën me çiftin tjetër, i cili kishte pesë fëmijë, dhe gruaja e këtij çifti pranoi të bëhej surrogate.
Në prill 2025, asaj iu transferua një embrion përmes IVF-së. Rreth dy javë më vonë, ekoja tregoi se gruaja po mbante dy fetuse. Testet e mëvonshme zbuluan se vajza ishte biologjikisht fëmija i çiftit që kishte nisur procesin e surrogacisë, ndërsa djali ishte biologjikisht fëmija i gruas surrogate dhe partnerit të saj.
Të dy familjet janë shprehur se synojnë që fëmijët të rriten duke e njohur njëri-tjetrin dhe të kuptojnë, në mënyrë të përshtatshme për moshën, historinë e tyre./mxh
