Last Updated on 27/09/2025 by adminfjala
Ish-zyrtari demokrat Fatbardh Kadilli është shprehur i gatshëm të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, nëse do të kishte një ofertë dhe, më e rëndësishmja, nëse opozita do të arrinte një bashkim të vërtetë.
Në një intervistë për A2 CNN, Kadilli theksoi se sfida nuk është thjesht personale, por lidhet me gjetjen e një projekti politik përbashkues për të gjithë spektrin opozitar. Ai shtoi se vetëm një kohezion i vërtetë i forcave opozitare mund të çonte në fitoren e kandidatit të opozitës në kryeqytet.
“Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do heqim dorë nga strategjitë dhe makinacionet për të fshehur të vërtetën dhe për të kontribuar të gjithë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë,” tha Kadilli.
Ai shtoi se opozitës i duhen figura me identitet të fortë, të pavarura nga liderët dhe me integritet, që mund të përballojnë sfidat politike dhe të konkurojnë efektivisht me lëvizjet e tjera politike.
“Ne kemi një PD në degradim në opozitë, disa parti kryetarë pa parti dhe një lëvizje radikale majtas në ngjitje. Sfida e tyre është të kenë strategji efektive për të marrë vota maksimalisht. Për këtë duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, pavarësi nga lideri dhe ndershmëri,” përfundoi Kadilli./E.S
