Plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, e njohur si DIVA, një detyrim ligjor, erdhi vitin e kaluar me risinë që përfshin edhe të gjithë influencer-at në vend.
Por, deklarimi në DIVA duhet të bëhet edhe për të gjitha fitimet e marra nga kriptovalutat, siç shprehet ekspertja e ekonomisë, Etleva Treska, e ftuar sot, 27 shkurt, në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan.
Treska shprehet se ka një numër të konsiderueshëm personash të cilët deklarojnë të ardhurat e tyre nga kriptovalutat dhe se është diçka që njihet në shtet.
“Risia e vitit 2025 është se kemi një sektor ku mund të deklarojmë fitimet që kemi nga kriptovalutat. Ka shumë që e bëjnë këtë gjë. Ka shumë që fitojnë. Çdo muaj ne kemi regjistruar fitimet që kemi realizuar nga kriptovalutat dhe në fund fare ne bëjmë deklarimin për pjesën që kemi fituar dhe atë që kemi paguar. E njeh shteti, sepse në 2019 është miratuar ligji në tërësi, por nuk zbatohej duke qenë se nuk kishte akte normative, teknologji dhe burime njerëzore. Tashmë, në dhjetor, është bërë miratimi edhe i akteve dhe ne tashmë i bëjmë të tëra, vetëm mining nuk na lejohet në kriptovalutë, domethënë të krijojmë vetë. Tregtia njihet”, tha ajo.
Por si mundet shteti të dijë që dikush është i integruar në këto ‘site’ që promovojnë kriptomonedhën? Siç shprehet ekspertja, këto faqe lënë gjurmë. Për këtë arsye, Treska bën thirrje për të gjithë ata të cilët mendojnë se nuk kanë nevojë të bëjnë këto deklarime, që duhet t’i bëjnë në mënyrë që të mos përballen me penalitete.
“Sistemi blockchain është kaq i fortë, që rrëzon edhe sistemin bankar. Pse? Sepse në banka mbyllet llogaria pas dy vitesh, ndërsa gjurma që lë në sistemin blockchain, çfarëdo që të bësh ti, edhe të sjellësh Zotin në Tokë, nuk fshihet. Sot shteti është i varfër në pjesën e kontrollit. Por nesër, kur të bëjë kontroll, sepse kanë të drejtën të bëjnë kontroll tërë jetën, hyjnë dhe gjejnë gjurmë. Kështu që nuk duhet të bëjmë të mençurin sot edhe nesër të kemi penalitete”, tha ajo./kb
