Last Updated on 03/11/2026 by EL
Nga ARTUR AJAZi
Prej 6 muajsh e ca, studentët janë ngritur në protestë. Dakort. Protesta është e shëndetshme në demokraci. Eshtë e ligjshme, e pranueshme, pasi vendos disa gjëra atje ku duhet. Por edhe pse i kam lexuar dhe dëgjuar studentët (dhe jo vandalët të kuptohemi) dhe kërkesat e tyre, sinqerisht nuk e kuptoj sërish çfarë duan realisht ata ? Kur bën protestë, ke një synim, program, dhe mendon dhe beson se, do të arrish atje ku duhet. Studentët kanë muaj që mblidhen tek Ministria e Arsimit. Mblidhen bashkë me ata, edhe huliganët me kapuçë të zinj, dhe godasin muret, dritaret dhe godinën. Asnjë kërkesë. Asnjë fjalë për thelbin e protestës. Pastaj zhvendosen tek Kryeministria, pastaj i bien rretherrotull qendrës së Tiranës, pastaj kerkojnë “Rama jepe doreheqjen”, pastaj thonë “Rama në burg, Berisha në burg”, pastaj largohen, dhe ikin andej nga kanë ardhur. Dhe kështu mblidhen çdo ditë, edhe pse masa e tyre sa vjen dhe pakësohet. Mblidheni rradaken o studentë. Kërkoni largimin e ministres së Arsimit, kërkoni largimin e kryeministrit, apo keni kerkesa të tjera? Personalisht nuk kam kuptuar asnjëherë as daljet e tyre në sheshin “Skenderbej”, dhe marshimin drejt kryeministrisë. Një protestë nis dhe vazhdon, duke përçuar kërkesa dhe zëra të qartë, hartohen lista me kerkesa, hartohen peticione, dhe dorezohen atje ku kanë vendin. Kryeministri u shtrin dorën, zbret dhe shtron tryezën e rrumbullakët, ju fton të vini atje, të bëni debate, dialog, për të arritur tek finalja, plotesimi ose jo, i kërkesave. Pastaj vazhdojeni sërish protestën. Por duke mos u ulur, dhe duke mos u takuar me “kreun e punës”, me kryeministrin, duke mos arritur asgjë me 170 ditët e protestës tuaj, sinqerisht dyshoj se, një “dorë e padukshme” po ju përdor hapur fare. Ju kërkoni “Rama në burg, Berisha në burg”. Por ato janë punët e drejtesisë. Ju kerkoni “Rama largohu”, dhe sërish ju them se, ajo realizohet me votë. Ndaj them se, nuk e kuptoj çfarë kërkoni. Ngrihen në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Francë, e gjetkë, por kanë kërkesa të qarta, “duam rritjen e pagave, uljen e çmimeve të karburantit dhe ushqimeve”, apo dhe “rritjen e pagave dhe pensioneve”. Dhe për këto kerkesa ata bëjnë protesta, bëjnë tubime, dhe arrijnë atje ku duhet. Kurse nga ju, prej 6 muajsh dëgjojmë vetëm togfjalëshin “Rama ne burg, Berisha në burg, Rama jepe doreheqjen”. Kaq. Po pse kjo është protesta juaj në 2026 ? U ngritën në 1990 studentet, por kërkuan ndryshimin e sistemit, dhe pluralizmin. Dhe ja arritën, sepse shkuan në debate dhe dialog me kreun komunist Ramiz Alia. Kurse ju, në 2026, nuk pranoni as dialog, as debate, as bisedime, por mjaftoheni me “ultimatume dhe kërcënime”. Jo, kjo nuk është rruga e duhur për të fituar ju të nderuar studentë, objektivat e duhura. Pastaj, një protestë pa drejtues, pa një grup iniciator, të cilët ti shohë dhe ti njohë populli, nuk ka si arrin atje ku duhet. Kjo është dialektike, dhe dialektika lidhet me arsyetimin, kontradiktat dhe zhvillimin e mendimit të nderuar studentë.
