Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Ish Presidenti, Ilir Meta mori pjesë në varrimin e babait të tij, një moment i dhimbshëm që e përjetoi në rrethana të veçanta, ndërsa ndodhej në qeli. Në një intervistë për Syri.net, ai ka ndarë një rrëfim të ngarkuar emocionalisht, ku kujtimet personale ndërthuren me dhimbjen e humbjes dhe mirënjohjen për mbështetjen e marrë në këto ditë të vështira.
Në këtë rrëfim, Meta ndalet te pengu i madh i mungesës së përqafimit të fundit me të atin, por edhe te ngushëllimi që i vjen nga përmbushja e amanetit të tij për t’u prehur në vendlindje, pranë të parëve të familjes.
I pyetur mbi përjetimin e kësaj humbjeje, ai shprehet:
“Njeriu rri më pak me ata që e duan më shumë.
Kjo më është kujtuar vazhdimisht gjatë këtyre dy viteve të fundit e sidomos në raport me babain tim të mrekullueshëm.
Më mbeti peng që nuk mund t’i jepja një përqafim të fundit, por këto rrethana nuk i zgjodha unë.
Jam i lumtur se motra më solli një foto ku unë jam me babain i përqafuar kur isha i vogël dhe ai si mësues i lindur që ishte, më nxiste që ti bëja sa më mirë detyrat.
Atë ditë që i dhashë lamtumirën e fundit, i premtova të prehej i qetë se unë do i kryej detyrat e mia më së miri.
U lehtësova që jo vetëm i plotësuam amanetin e tij për tu prehur në vendlindjen e tij dhe pranë prindërve e familjarëve, por edhe që atje të vija buqeta me lule në nderim të gjyshit, gjyshes, xhaxhallarëve e familjarëve të tyre.
Me këtë rast i falenderoj nga zemra të gjithë ata miq, shokë dhe dashamirës të babait tim e familjes sonë që erdhën në Çepan për ti dhënë lamtumirën e fundit dhe të gjithë ata që erdhën për ngushëllime të nesërmen në Tiranë.
Por dua të falenderoj edhe gjithë të tjerët që nuk mundën të vinin për arsye të kohës e rrethanave të tyre, por që na përcollën solidaritetin e tyre miqësor, shoqëror dhe njerëzor.”
