Një tjetër zhvillim i fortë ka tronditur turneun e Ed Sheeran, vetëm një ditë pasi Macklemore u hoq nga koncertet e “Loop Tour”. Pas vendimit që shkaktoi reagime të shumta për shkak të qëndrimeve të reperit në mbështetje të palestinezëve në Gaza, edhe artistët që do të performonin para Sheeran kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga turneu.
Finneas, Lukas Graham, Aaron Rowe dhe grupi irlandez Beoga, që shoqëronte Sheeran si pjesë e bandës së tij live, deklaruan më 15 shtator se nuk do të vijojnë me datat e ardhshme të turneut.
Finneas ishte ndër të parët që reagoi publikisht. Artisti 29-vjeçar tha se nuk mund të qëndronte në një turne ku, sipas tij, artistët heshtin kur flasin për njerëzit që po vuajnë.
“Artistët nuk duhet të heshten kur flasin për të shtypurit”, shkroi ai, duke bërë të qartë se qëndrimi i tij lidhet me Palestinën dhe popullin palestinez.
Edhe Aaron Rowe, 24 vjeç, njoftoi tërheqjen, duke e cilësuar vendimin si një nga më të vështirët për të marrë. Ai theksoi se Sheeran ka qenë mik i tij dhe një person që i ka ndryshuar jetën profesionalisht.
Megjithatë, Rowe tha se si irlandez e ndien të pamundur të qëndrojë indiferent ndaj asaj që e konsideron si heshtje ndaj zërave pro-palestinezë. Në deklaratën e tij ai iu referua edhe historisë së Irlandës dhe e mbylli mesazhin me thirrjen: “Free Palestine”.
Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe Beoga, grupi tradicional irlandez që ka qenë pjesë e bandës së Sheeran për vite me radhë. Grupi deklaroi se nuk do të performojë në ambiente ku, sipas tyre, heshten artistët që flasin në mbështetje të Palestinës.
Beoga nënvizoi se ka një miqësi më shumë se 10-vjeçare me Sheeran dhe se e vlerëson mundësinë që ai u ka dhënë ndër vite. Megjithatë, grupi tha se vendimi për t’u larguar lidhet me atë që e cilësoi si “heshtjen e Macklemore”.
Edhe Lukas Graham iu bashkua artistëve që u tërhoqën nga turneu. Artisti danez tha se e ka të vështirë të shohë familje në pjesë të tjera të botës duke varrosur njerëzit e tyre, duke theksuar se paratë dhe fama nuk duhet të përcaktojnë se kush ka të drejtë të flasë.
Por pas gjithë kësaj përplasjeje qëndron vendimi për largimin e Macklemore, i cili kishte shprehur hapur mbështetjen për Palestinën gjatë performancave të tij.
Vetë Macklemore zbuloi se kishte zhvilluar disa biseda të vështira me Ed Sheeran dhe se mes tyre kishte pasur një mosmarrëveshje thelbësore mbi mënyrën se si duhej trajtuar kjo çështje.
Sipas Macklemore, Sheeran i kishte thënë se Robert Kraft, pronari i Gillette Stadium, ku Sheeran pritet të performojë më 25 dhe 26 shtator, kishte bërë të ditur se reperi nuk do të lejohej të performonte në stadium. Macklemore pretendoi gjithashtu se edhe stadiume të tjera kishin vendosur të njëjtin kusht.
Nga ana tjetër, Ed Sheeran mohoi se vendimi ishte i tij. Këngëtari tha se ishte informuar nga disa prej ambienteve ku do të zhvilloheshin koncertet se shfaqjet mund të anuloheshin nëse Macklemore do të ishte pjesë e tyre.
Sheeran deklaroi se kishte zhvilluar biseda të shumta me stadiumet, promovuesit dhe persona nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje, por në fund vendimi për largimin e Macklemore ishte marrë nga promovuesit.
Këngëtari britanik tha gjithashtu se është “i tmerruar” nga konflikti mes Izraelit dhe Palestinës dhe se vuajtjet e njerëzve në të dyja anët përbëjnë një tragjedi njerëzore.
Sheeran theksoi se nuk e përdor zakonisht platformën e tij profesionale për politikë, duke argumentuar se koncertet e tij ndiqen nga një audiencë shumë e gjerë, përfshirë edhe fëmijë.
Ndërkohë, Robert Kraft ka dhënë versionin e tij për situatën. Ai tha se Gillette Stadium nuk ofron një platformë për gjuhën e urrejtjes dhe se vendimi për Macklemore lidhej, sipas tij, jo vetëm me materialin e shpërndarë gjatë koncerteve në New Jersey, por edhe me atë që ai e përshkroi si një histori më të gjerë deklaratash dhe imazhesh antisemitike.
Kraft theksoi se mbështetja për popullin palestinez dhe kundërshtimi ndaj Hamasit, antisemitizmit dhe urrejtjes nuk janë domosdoshmërisht qëndrime që përjashtojnë njëri-tjetrin.
Macklemore, megjithatë, këmbënguli se largimi nga turneu nuk do ta bëjë të heshtë. Ai tha se nuk kishte nevojë për dhjetë koncerte, por vetëm për dy mundësi për të dalë para një audience të madhe dhe për të përcjellë mesazhin e tij./mxh
