Last Updated on 01/06/2026 by EL
Media e njohur greke “Kathimerini” ka zbardhur një reagim zyrtar të Komisioni Evropian, i cili duket se po përdoret nga Athina zyrtare për të ushtruar sërish presion mbi rrugën integruese të Shqipërisë. Pasi pretendon se një shtetas grek mbeti i plagosur gjatë përplasjeve të fundit në Zvërnec, pala greke ka vënë në lëvizje Brukselin, duke e lidhur mbrojtjen e minoritetit dhe mjedisit drejtpërdrejt me negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Sipas deklaratës që zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, ka dhënë për “Kathimerini”, Komisioni po monitoron nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, duke i dërguar një “mesazh të qartë” Tiranës zyrtare.
Në përgjigjen e dhënë, përfaqësuesi i KE-së ka kujtuar se raporti vjetor i vitit 2025 kishte regjistruar tashmë shqetësime në lidhje me zgjatjet e përsëritura të ligjit shqiptar për investimet strategjike. Sipas tij, këto investime ngrenë dyshime për ndikimet mjedisore në zonat e mbrojtura.
Megjithatë, ajo që bie sy në artikullin e medias greke është tendenca për të ndërkombëtarizuar një ngjarje lokale dypalëshe. KE thekson se “respekti për të drejtat dhe vlerat themelore, përfshirë lirinë e tubimit paqësor, është një element kyç i rrugës evropiane të Shqipërisë”, duke iu referuar incidentit të së shtunës ku mbeti i lënduar shtetasi grek.
“Kushti” për Kapitullin 27 dhe projektet e debatueshme
“Kathimerini” shkruan se rasti i Zvërnecit po trajtohet si një test për Shqipërinë në kuadër të Kapitullit 27 (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike). Përveç harmonizimit me direktivat evropiane për habitatet, Brukseli kërkon nga Shqipëria të shfuqizojë dispozitat që konsiderohen të papajtueshme me acquis evropiane dhe të rishikojë regjimin e investimeve strategjike të vendosur që nga viti 2015.
Në këtë formë, një përplasje në terren për çështje pronësie dhe investimesh në bregdetin e Zvërnecit, po kthehet në një tjetër “Kalë Troje” nga ana e Greqisë për të vendosur kushte të reja politike ndaj Tiranës, duke prekur çështje të sundimit të ligjit, mbrojtjes së pakicave dhe të drejtave të pronës./ET
