Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, janë personat e arrestuar si autorë të tritolit të vendosur më 15 nëntor në një restorant në Kamëz. Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë në vëmendje ngjarjet, ndërsa ka zbardhur lidhjet që çuan deri në vendosjen e lëndës eksplozive.
Që nga përfolja si shoqëruesi i fundit i mbretit të kumarit Ervis Martinaj, emri i tij thuajse ishte zhdukur nga qarkullimi. Ose të paktën kishte mbyllur telashet me drejtësinë dhe ishte kthyer në aktivitetin e tij të përditshëm larg zhurmës që krijoi si personi i fundit që u pa në të gjallë me tashmë mbretin e zhdukur të lojërave të fatit.
Ish-oficeri i Operacionales, Jeton Lami, që pasi kishte lënë qelinë e burgut si i përfshirë në zhdukjen e Martinaj, emri i tij doli sërish në skenë në një tjetër ngjarje kriminale.
Atë të vendosjes së një sasie lënde eksplozivi në një restorant në Kamëz, si një formë gjobëvënie ndaj pronarit të objektit të shërbimit që i ishte dhënë me qira një personi tjetër.
Por si u përshi Jeton Lami në këtë ngjarje dhe kush janë personat e tjerë të cilët po kështu dyshohen se janë autorët e vendosjes së eksplozivit në godinë? Çfarë tha Jeton Lami pasi u pyet nga grupi hetues dhe cilat janë kontradiktat që lidhin këtë ngjarje?
Shpërthim eksplozivi që u raportua në orët e para të mëngjesit të datës 15 nëntor dhe që tronditi edhe objektet që ndodheshin rreth tij, duke alarmuar edhe banorët në zonë që u zgjuan të frikësuar nga gjëmimi i tritolit që ishte vendosur në pragun e derës së restorantit, që në këtë orë ishte i mbyllur.
“Më datë 15 Nëntor 2025, rreth orës 02:30 të mëngjesit, policia e komisariatit nr.5 ka marrë njoftim se në restorantin ‘Perla e Detit’ në Kamëz në pronësi të shtetasit Sajmir Sina, që përdoret me qira nga shtetasi Klodian M, ka ndodhur një shpërthim.
Nga kqyrja e restorantit u konstatuan dëmtime të shumta në anën e pasme të tij si dhe dëmtime ngjitur me vatrën e shpërthimit.
Në brendësi të lokalit janë konstatuar dëmtime në pjesën e tavanit si dhe të abazhurëve”, thuhet në dosjen hetimore.
Por krahas dëmtimeve që u evidentuan, jo vetëm tek restoranti, por edhe tek pallatet në zonë, grupi hetues bëri edhe krehjen e kamerave të sigurisë në hapësirën përreth.
Kjo me qëllim për të parë lëvizjet e dyshimta të personave që kishin ndaluar në këtë orë pranë objektit të sulmit.
Ajo që u vu re ishte se pikërisht disa minuta përpara se të ndodhte shpërthimi pranë restorantit afrohet një person i maskuar. Pasi kryen disa lëvizje të koordinuara në derën e lokalit shikohet më tej teksa ai ikën me nxitim. Vetëm disa minuta nga largimi i tij ndodh edhe shpërthimi që shkatërron thuajse gjithçka.
Nga kqyrja e pjesshme e pamjeve filmike, rezulton se më datë 15 Nëntor 2025, në orën 02:27, në ambientet e jashtme të objektit të dëmtuar vihet re një person i veshur me xhup si ngjyrë jeshile me shirita fosforeshentë. Ky person shikohet më tej teksa qëndron i ulur dhe në dukje ndez një send, dhe më pas largohet duke ikur me vrap. Nga analiza e mëtejshme e pamjeve filmike, e lëvizjeve të personit të dyshuar, të ardhjes dhe të largimit të tij nga vendi i ngjarjes, konstatohet se pas vendosjes së lëndës plasëse, i njëjti person ikën në drejtim të zonës së Zall Mnerit, Kamëz. Teksa një orë më pas në orën 03:26 ai kalon përgjatë rrugëve dytësore prapa lokalit”, thuhet në dosjen hetimore.
Por edhe pse u munduan të identifikojnë personin që vendosi eksplozivin në derën e restorantit në pronësi të shtetasit Sajmir Sina, grupi hetues e pati të vështirë të bjerë në gjurmët e identitetit të tij. Kjo edhe për shkak të maskimit që ky i fundit kishte në momentin e vendosjes së tritolit.
Por për të kuptuar më mirë se çfarë kishte ndodhur, policisë iu desh të priste mbërritjen nga Italia të pronarit të objektit.
Sajmir Sina me të mësuar lajmin për shpërthimin me eksploziv në restorantin e tij të dhënë me qira, preu menjëherë biletën dhe vetëm disa orë më pas në mbrëmjen e datës 15 nëntor, u paraqit në Komisariatin nr 5 të Policisë në Kamëz, ku dha edhe deklaratën e tij të parë mbi ngjarjen. Ai hodhi dritë edhe mbi konfliktet që kishte me disa persona, ku njëri prej tyre i kishte vendosur dhe një gjobë të madhe të cilën ai nuk kishte pranuar ta paguante.
Për pasojë ai mendonte që ishte pikërisht ky konflikt dhe mospagimi i kësaj gjobe që kishin çuar edhe në vendosjen e eksplozivit në objektin restorant që ai kishte dhënë me qira.
Por çfarë ishte ky konflikt dhe si kishte nisur? Cili ishte roli i Jeton Lamit në këtë përplasje, dhe përse Sajmir Sina drejtoi gishtin ndaj tij si personi përgjegjës që mund të ketë çuar më pas në atë që ndodhi? m.p.
