Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja. Shkaku i akzuave ndaj kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë të bëjnë me hedhjen e inerteve të ndërtimeve në anë të rrugëve.
Balla këtë shqetësim e ka ngritur me anë të një video-mesazhi, ku ngrihen pikëpyetje rreth ndotjes së rrugëve, ndotjes së fshatrave, ndotjes mjedisore në tërësi dhe ndotjes së jetës së banorëve të zonave të Kavajës.
Sipas Ballës, mënyra se si jepen lejet e ndërtimit është shqetësuese më vete, por sikur të mos mjaftonin ndërtimet dhe mënyra se si janë lejuar, çështje më vete është bërë dhe depozitimi i inerteve e mbetjeve nga këto punime.
Balla nënvizoi se mungesa e kontrollit dhe administrimit të mbetjeve nga ndërtimet është evidente.
Videomesazhi i Ballës:
“Mirë që e jep leje ndërtimi vend e pa vend, por që të lësh inertet e ndërtimeve në anë të rrugës së një fshati, kjo është batërdi.
Kjo që shikoni është rruga kryesore e fshatit Bukaq në Kavajë. Lëreni rrugën që nuk është shtruar, se është muhabet tjetër.
Dhe do ta shtrojmë, sigurisht.
Por ajo që bën Bashkia Kavajë sot, dhe kryetari i saj i bashkisë, është miratimi me heshtje apo pa heshtje, e hedhjes së të gjitha inerteve në krah të rrugës.”/Mxh
