Last Updated on 27/07/2026 by Anisa
Debati për marrëveshjen e huas direkte prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka sjellë reagime të forta politike. Pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se opozita nuk do të votojë një procedurë që e konsideron antikushtetuese, ka reaguar deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
Spaho ka kritikuar qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar si të ndikuar nga konflikti politik dhe duke argumentuar se marrëveshjet ushtarake me SHBA-të duhet të trajtohen me një qasje më institucionale.
“Kjo opozitë jo vetëm që vuan nga sindromi ‘Peçi kundra’, por urrejtja nuk e lejon të kuptojë se ndonjëherë duhet të votojë pa shumë debate marrëveshjet ushtarake me SHBA”, është shprehur Spaho.
Sipas tij, marrëveshja me SHBA-në ka karakter të veçantë dhe nuk është një dokument që mund të ndryshohet gjatë procesit të miratimit.
“Kjo marrëveshje është sekrete dhe as vendet anëtare të NATO-s nuk dinë se çfarë armësh importon njëri vend apo tjetri nga SHBA. Marrëveshjes nuk i ndryshohet asnjë germë, aq më pak përmbajtja e saj. Ajo vetëm miratohet ose hidhet poshtë”, deklaroi ai.
Spaho theksoi se marrëveshje të tilla janë të njohura edhe nga periudhat kur opozita ka qenë në qeverisje, duke kujtuar se edhe atëherë janë nënshkruar marrëveshje të ngjashme me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas deputetit demokrat, miratimi i marrëveshjes lidhet edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, veçanërisht për përmbushjen e objektivit të shpenzimeve të mbrojtjes në masën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Është zemërgjerësia e SHBA-së që i miratoi Shqipërisë këtë kredi dhe që do të furnizojë ushtrinë tonë me armatime amerikane”, u shpreh Spaho.
Ai ngriti gjithashtu pretendimin se marrëveshja është e lidhur me mundësinë e zhvillimit të samitit të NATO-s në Tiranë vitin e ardhshëm, duke e cilësuar këtë si një mundësi me rëndësi strategjike për vendin.
“Mbajtja e këtij samiti në Shqipëri ka një vlerë mijëra herë më të madhe se çdo dëshirë e opozitës për të vendosur pengesa me shpresën se do të vijë në pushtet”, tha ai.
Në fund të reagimit të tij, Spaho akuzoi opozitën se po përdor argumentin kushtetues pa paraqitur prova konkrete dhe se një qëndrim i tillë dëmton interesat strategjike të vendit.
“Fshehja e kokës pas pretendimit se po shkelet Kushtetuta, pa dhënë asnjë argument, dëshmon një sjellje të opozitës si ‘pulë pa kokë’”, deklaroi ai, duke shtuar se asnjë palë që ka nënshkruar marrëveshjen nuk do të pranonte një dokument në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.
Reagimi i plotë i Spahos:
