Last Updated on 10/05/2026 by Monika
TikTok vazhdon të ndikojë fuqishëm në rutinat e përditshme të miliona njerëzve, nga kujdesi për lëkurën deri te këshillat për shëndetin oral. Një nga trendet që është bërë jashtëzakonisht viral kohët e fundit quhet “Oil Pulling”, një teknikë e lashtë që shumë përdorues pretendojnë se zbardh dhëmbët dhe përmirëson shëndetin e gojës.
Hashtag-u #oilpulling ka mbledhur qindra miliona shikime në TikTok, ndërsa videot me rezultate “para dhe pas” kanë bërë që gjithnjë e më shumë njerëz ta provojnë këtë metodë në shtëpi.
Çfarë është “Oil Pulling”?
“Oil Pulling” është një praktikë tradicionale e mjekësisë ayurvedike, që daton prej mijëra vitesh. Teknika konsiston në shpëlarjen e gojës me vaj, zakonisht vaj kokosi ose vaj susami, për rreth 15 deri në 20 minuta.
Sipas përdoruesësve të kësaj metode, yndyra e vajit ndihmon në tërheqjen dhe largimin e baktereve, toksinave dhe pllakës bakteriale nga goja. Për këtë arsye, shumë njerëz besojnë se praktika ndihmon në reduktimin e erës së keqe të gojës, përmirësimin e shëndetit të mishrave të dhëmbëve dhe zbardhjen natyrale të dhëmbëve.
Pse është bërë kaq popullore?
“Oil Pulling”, trendi viral i TikTok-ut për dhëmbë
Përveç faktit që është një metodë e thjeshtë dhe relativisht e lirë, TikTok e ka kthyer “Oil Pulling” në një ritual bukurie.
Në videot virale, përdoruesit tregojnë se si e përdorin vajin çdo mëngjes para larjes së dhëmbëve dhe pretendojnë se kanë vënë re dhëmbë më të bardhë, frymëmarrje më të freskët dhe mishra më të shëndetshëm.
Por ekspertët thonë se duhet treguar kujdes me pretendimet e ekzagjeruara që qarkullojnë në rrjetet sociale.
A funksionon vërtet?
Sipas dentistëve dhe specialistëve të shëndetit oral, nuk ka ende prova të forta shkencore që vërtetojnë se “Oil Pulling” zbardh dhëmbët në mënyrë domethënëse apo zëvendëson trajtimet klasike të higjienës orale.
Megjithatë, disa studime sugjerojnë se praktika mund të ndihmojë në uljen e baktereve në gojë dhe përmirësimin e frymëmarrjes. Kjo do të thotë se mund të ketë përfitime të lehta për higjienën orale, por nuk duhet parë si një “zgjidhje magjike”.
Ekspertët theksojnë se metoda duhet të përdoret vetëm si shtesë e rutinës normale të kujdesit oral dhe jo si zëvendësim i larjes së dhëmbëve, fillit dentar apo kontrolleve te dentisti.
A është e sigurt?
“Oil Pulling”, trendi viral i TikTok-ut për dhëmbë
Në përgjithësi, “Oil Pulling” konsiderohet i sigurt për shumicën e njerëzve, sidomos kur përdoren vajra natyralë si ai i kokosit. Megjithatë, personat që kanë alergji ndaj vajrave të caktuar ose probleme me nofullën dhe artikulacionin temporomandibular duhet të konsultohen me një specialist para se ta provojnë.
Dentistët rekomandojnë që rutina bazë të mbetet e pandryshuar, larja e dhëmbëve dy herë në ditë, përdorimi i fillit dentar dhe kontrollet e rregullta.
Pra, edhe pse “Oil Pulling” mund të mos jetë mrekullia që premton TikTok-u, për shumë njerëz mbetet një praktikë interesante wellness-i që mund të sjellë disa përfitime shtesë për higjienën orale./mxh
