Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e Kombeve të Bashkuara, ka paralajmëruar se qindra mijëra njerëz në mbarë botën, po shfrytëzohen çdo vit, nga trafikantët e qenieve njerëzore për të kryer mashtrime online.
Viktimat joshen me premtime të rreme për vende pune të paguara mirë jashtë vendit, por pasi mbërrijnë, shpesh mbahen të mbyllura, kontrollohen dhe detyrohen të punojnë në skema mashtruese në internet.
Sipas IOM, kjo është një nga format me rritjen më të shpejtë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Drejtoresha e organizatës, Amy Pope tha se numri i personave të përfshirë, është rritur ndjeshëm gjatë dy ose tre viteve të fundit.
Ajo vlerëson se rreth 300 mijë persona në botë, punojnë në qendra të tilla mashtrimi, edhe pse jo të gjithë janë domosdoshmërisht viktima të trafikimit.
Një tendencë e re është se grupet kriminale po synojnë gjithnjë e më shumë persona me arsim të lartë dhe njohuri të mira të gjuhës angleze, veçanërisht nga vendet afrikane.
Shumë prej tyre, për shkak të vështirësive ekonomike dhe dëshpërimit për të gjetur punë, nuk i verifikojnë me kujdes ofertat e punës.
Një shenjë alarmi është kur u kërkohet të udhëtojnë në një vend të largët me vizë turistike për të filluar një punë.
Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) vlerëson se vetëm në Azinë Lindore dhe Juglindore, Australi dhe Zelandën e Re, dëmi financiar nga këto aktivitete kriminale, arriti në 114,1 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Nga viti 2022 deri në vitin 2025, IOM ka ndihmuar më shumë se 3 500 persona nga 39 vende, të cilët ishin mbajtur kundër vullnetit të tyre në qendra mashtrimi online dhe më pas u liruan. Mes tyre kishte shtetas nga Indonezia, Bangladeshi dhe Kenia./MXH
