Last Updated on 20/09/2025 by adminfjala
Më 20 shtator 1979, në Republikën e Afrikës Qendrore ndodhi një nga ngjarjet më të bujshme të historisë së saj moderne: rrëzimi i Jean-Bédel Bokassa-s, diktatorit që vetë e kishte shpallur veten Perandor i Afrikës Qendrore.
Ky ndryshim pushteti, i njohur si Operacioni Caban, u organizua dhe u përkrah drejtpërdrejt nga Franca, ish-metroploli kolonial. Parisi kishte qenë deri atëherë aleat i ngushtë i Bokassa-s, por barbarizmat e tij, korrupsioni i shfrenuar dhe krimet e regjimit, sidomos masakra e shkollës në Bangui (1979) ku dhjetëra nxënës u vranë nga forcat e sigurisë, e komprometuan përfundimisht.
Perandoria e Bokassa-s
Jean-Bédel Bokassa, ish-oficer i ushtrisë koloniale franceze, kishte ardhur në pushtet me një grusht shteti më 1966, duke përmbysur kushëririn e tij David Dacko. Fillimisht u shpall President, por më vonë, i frymëzuar nga Napoleon Bonaparte, në vitin 1977 organizoi një kurorëzim madhështor në Bangui, duke shpallur veten Perandor Bokassa I.
Ceremonia, e financuar kryesisht me ndihma franceze, kushtoi mbi 20 milionë dollarë, një shifër marramendëse për një vend të varfër, dhe u kthye në simbol të groteskut dhe absurdit politik afrikan.
Operacioni Caban
Në shtator 1979, ndërkohë që Bokassa ndodhej për vizitë në Libi, forcat franceze dhe elementë të ushtrisë së Afrikës Qendrore vepruan. Kryeqyteti Bangui u mor nën kontroll pa shumë rezistencë. Më pas, në krye të shtetit u rikthye David Dacko, tashmë si President i mbështetur fuqimisht nga Perëndimi.
Operacioni u kodua si Caban, një emërtim që në dosjet franceze mbeti sinonim i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Parisit në ish-kolonitë e tij për të ruajtur stabilitetin dhe interesat e veta.
Pasojat
David Dacko ndërmori disa reforma ekonomike dhe politike për të rikthyer vendin në një trajektore më racionale pas 13 viteve të diktaturës groteske të Bokassa-s. Megjithatë, vendi mbeti i brishtë, i varur nga ndihmat franceze dhe me institucione të dobëta.
Vetë Bokassa u arratis në Francë, ku qëndroi për disa vite, derisa në vitin 1986 u rikthye në Afrikën Qendrore, ku u arrestua, u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje dhe krime të tjera. Në vitin 1993, ai u fal dhe kaloi vitet e fundit i tërhequr nga jeta politike.
Përgatiti: L.Veizi
