Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë pritet të takohen këtë të premte në Oman për bisedime të drejtpërdrejta, mes një krize që ka ngritur frikën e një përballjeje ushtarake mes dy vendeve.
Diskutimet vijnë pas një grumbullimi të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar, që grupet e të drejtave të njeriut thonë se kanë shkaktuar mijëra viktima.
Pasiguria mbi vendndodhjen dhe përmasat e takimit kishte rrezikuar zhvillimin e bisedimeve, të cilat janë pjesë e një përpjekjeje diplomatike nga ndërmjetës rajonalë për të ulur tensionet.
Të dy vendet mbeten larg në pozicionet e tyre. Siç shkruan BBC, shpresa është që, nëse bisedimet kanë sukses, ato mund të çojnë në krijimin e një kornize për negociata.
SHBA-të kërkojnë që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga stoku i uraniumit të pasuruar, dhe kanë thënë se bisedimet duhet të përfshijnë gjithashtu raketat balistike të Iranit, mbështetjen e tij për grupet e armatosura rajonale dhe trajtimin e qytetarëve të vet.
Irani, megjithatë, ka deklaruar se diskutimet do të kufizohen vetëm në programin bërthamor, dhe nuk është e qartë nëse këto dallime janë zgjidhur.
Irani ka premtuar se do të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi, duke kërcënuar se do të godasë asetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izrael.
Delegacioni iranian do të kryesohet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili javën e kaluar tha se forcat e armatosura të vendit të tij ishin “me gishtin në këmbëz”, ndërsa SHBA-të do të përfaqësohen nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump-it, Jared Kushner.
Ky do të jetë takimi i parë mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë që nga lufta mes Izraelit dhe Iranit qershorin e kaluar, kur SHBA-të bombarduan tre objektet kryesore bërthamore të Iranit.
Irani thotë se aktiviteti i pasurimit të uraniumit u ndal pas sulmeve.
Për udhëheqësit e dobësuar të Iranit, bisedimet mund të jenë shansi i fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili sipas analistëve është në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./kb
