Intervistë
“Orwell shkoi të luftonte. Mendova se edhe mua do të më duhej të bëja të njëjtën gjë”: Raoul Peck për lidhjen e tij intime me shkrimtarin
Nga Lanre Bakare
Regjisori haitian pati qasje të paprecedentë në arkivat e George Orwell-it – dhe aty gjeti një bashkudhëtar në kërkimin për të vërtetën. Filmi i tij i ri dhe i jashtëzakonshëm nxjerr në pah lidhjet ogurzeza mes Big Brother-it, Trump-it dhe Putin-it.
“Duhet ta pranoj,” thotë Raoul Peck nga apartamenti i tij në Paris, i rrethuar nga rafte librash, “George Orwell nuk ishte në krye të listës së autorëve që mendoja se përputheshin me mënyrën se si e shoh sot botën.”
Kjo mënyrë të menduari – anti-imperialiste, kureshtare intelektualisht dhe thellësisht e pavarur – është formuar nga një jetë e jashtëzakonshme. I lindur në Haiti, Peck u rrit nën regjimet famëkeqe dhe të dhunshme të Duvalierëve, përpara se familja e tij të largohej nga vendi në vitin 1961. Ai u arsimua në atë që sot është Republika Demokratike e Kongos, më pas në Nju Jork dhe në Orléans të Francës, përpara se të zhvendosej në Berlin, ku studioi inxhinieri industriale dhe ekonomi. Ka punuar një vit si shofer taksie në Nju Jork dhe pesë vite si gazetar dhe fotograf, përpara se të merrte diplomën në regji filmi në Berlin në vitin 1988. Në vitin 2010 u emërua drejtues i shkollës shtetërore franceze të filmit.
Peck është i njohur për dramat dhe dokumentarët e tij, të cilët shpesh fokusohen te figurat intelektuale që ai admiron. Ai ka portretizuar Patrice Lumumba, udhëheqësin e parë të Kongos së pavarur; ka realizuar një dramë për miqësinë e hershme mes Engelsit dhe Marksit, që do të lindte komunizmin; ka krijuar një portret prekës të fotografit sudafrikano-afrikano-amerikan Ernest Cole; dhe fitoi një Bafta për dokumentarin e vitit 2017 mbi shkrimtarin James Baldwin, I Am Not Your Negro. Në vitin 2021 realizoi serinë televizive me katër pjesë Exterminate All the Brutes, mbi kolonializmin dhe spastrimin etnik. Ndërsa filmi i tij i vitit 2005 Sometimes in April trajtonte gjenocidin në Ruandë. Pak regjisorë – ndoshta vetëm Adam Curtis – kanë hetuar në mënyrë kaq të vazhdueshme idetë e mëdha dhe strukturat që formësojnë botën tonë.
Kur Peck fitoi çmimin Bafta për I Am Not Your Negro, ai i bëri homazh Baldwin-it në fjalimin e pranimit: “Ai na la fjalë që sot janë më të nevojshme se kurrë në një botë të mbushur me injorancë të pashfajësuar.” E njëjta gjë mund të thuhet për pothuajse të gjithë personazhet që Peck trajton në filmat e tij – dhe sidomos për Orwell-in, të cilin regjisori e eksploron në filmin e tij më të ri, 2+2=5, pavarësisht se më parë e kishte shpërfillur.
“Unë gjithmonë kam qenë i interesuar për atë që ndodh tani, kudo që jetoj,” shpjegon Peck, i cili në moshën 72-vjeçare mbetet po aq kureshtar dhe energjik sa më parë. “Orwell ma kishin paraqitur në shkollë dhe në universitet si një lloj shkrimtari të fantashkencës.”
Peck ndërton portretin e shkrimtarit duke përdorur fjalët e vetë Orwell-it (të interpretuara me zërin e thellë të aktorit Damian Lewis), shumë prej të cilave vijnë nga ditari që ai mbajti deri pak para se të vdiste nga tuberkulozi në vitin 1950. Orwell vdiq vetëm gjashtë muaj pas botimit të romanit të tij të famshëm Nineteen Eighty-Four. Në film, Peck ndërthur fragmente nga adaptimet e ndryshme të veprës – nga versioni i BBC-së i vitit 1954 nga Rudolph Cartier deri te filmi i vitit 1984 i Michael Anderson, me muzikë nga Eurythmics dhe John Hurt në rolin e Winston Smith.
Filmi përfshin edhe reklamën e famshme të Apple në Super Bowl të vitit 1984, e cila sugjeronte se viti 1984 nuk do të ishte si vizioni distopik i Orwell-it falë ardhjes së kompjuterit Macintosh.
“Newspeak”, gjuha e manipuluar e imponuar nga regjimi i Big Brother-it për të shtypur kundërshtimin në roman, ndërthuret në film me slogane politike moderne, si “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë. Ndërkohë fragmente nga Animal Farm vendosen krah pamjeve të paradave ushtarake kineze. Pamje nga lufta në Irak, fragmente nga fjalimet nacionaliste hindu të Narendra Modit dhe skena tronditëse nga Jemeni dhe Gaza kalojnë njëra pas tjetrës. Rezultati është një mbingarkesë sensoriale që e vendos Orwell-in në kohën tonë.
“Unë u rrita me newspeak,” thotë Peck. “Duhej të dekonstruktoja gjithçka rreth meje. Sepse Kennedy dhe SHBA mbështesnin diktaturën në vendin tim, ndërsa na jepnin leksione për demokracinë.”
Kur Peck filloi të studionte Orwell-in, ai zbuloi se shkrimtari i dukej gjithnjë e më i afërt. Në vend të një anglezi enigmatik nga një botë tjetër, ai i ngjante një shoku udhëtimi.
“Zbulova një Orwell të botës së tretë,” thotë regjisori. “Ai shkoi në Birmani si 20-vjeçar dhe zbuloi kolonializmin, më pas shkoi të luftonte në Luftën Civile Spanjolle në të tridhjetat. Kjo është ajo që bënin të rinjtë në botën nga vij unë. Ne luftonim për të vërtetën, për drejtësinë – jo përmes Twitter-it. Deri në vitin 1986 në Haiti kishte diktaturë. Pra për pjesën më të madhe të rinisë sime mendoja se do të kthehesha në vendin tim për të luftuar dhe ndoshta për të vdekur. Ishte logjika politike në të cilën u rritëm. Kështu që e gjeta veten plotësisht te Orwell-i.”
Filmi u realizua pasi dokumentaristi Alex Gibney, producenti i tij, mori qasje të paprecedentë në arkivin e Orwell-it dhe i dha Peck-ut liri të plotë krijuese. Ndërsa gërmonte në materiale, regjisori hasi shumë surpriza. Një prej tyre ishte një fotografi e shkrimtarit si fëmijë me dadon e tij indiane, një imazh që e vendoste menjëherë në një kontekst të ri dhe më të brishtë, me lidhje intime me skajet e largëta të Perandorisë Britanike.
Ai u intrigua gjithashtu nga reflektimet e Orwell-it mbi kohën kur shërbeu si oficer policie koloniale në Birmani. Një nga tekstet më të famshme të shkrimtarit nga ajo periudhë është tregimi për një oficer që qëllon një elefant, i cili fillon me fjalinë:
“Në Moulmein, në Birmaninë e Poshtme, më urrenin një numër i madh njerëzish – e vetmja herë në jetën time kur kam qenë aq i rëndësishëm sa të ndodhte kjo.”
Peck u habit nga vetëkritika dhe nga mbështetja që Orwell-i tregonte për popullin birman.
“Pse do të shkonte një i ri britanik në Birmani si agjent kolonial?” pyet ai. “Ai kërkonte diçka – por ajo që zbuloi ishte kolonializmi. Ishte një zgjim. Ai shkroi për këtë në një mënyrë që pak njerëz do ta bënin në atë kohë. Ai denonconte krimet e popullit të tij dhe edhe krimet e veta. Duhej guxim për ta bërë këtë kaq hapur.”
Në filmin e Peck-ut, Orwell nuk kritikon vetëm kolonializmin britanik në Birmani, por edhe sistemin e klasave në Britani, bashkëpunimin e mediave me pushtetin dhe prirjet autoritare të lëvizjeve populiste. Peck e quan analizën e Orwell-it një “kuti veglash” që mund të përdoret edhe sot për të diagnostikuar shoqëritë e sëmura.
“Ai tregon se si sistemet politike bëhen autoritare,” thotë Peck. “Nuk ka rëndësi nëse janë të majta apo të djathta: të dyja sulmojnë gjuhën, inteligjencën, drejtësinë, shtypin – ose përpiqen ta dominojnë. Duhet të krijosh një lloj kulti të personalitetit. Ne e shohim këtë në çdo sistem devijant – çdo institucion mund të përfundojë atje nëse nuk ka kontrolle dhe balanca.”
Peck ka përjetuar nga afër dështimin politik. Ai shërbeu si ministër i kulturës në Haiti nga marsi 1996 deri në tetor 1997, kur dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj asaj që ai e pa si një kapje antidemokratike të pushtetit nga ish-presidenti Jean-Bertrand Aristide. Përvojën e përshkroi në një libër me titull që përkthehet lirshëm si Zoti Ministër… Derisa Mbaroi Durimi, një kronikë e paaftësisë politike, mashtrimeve dhe shpresave të shkatërruara.
“Sot e di sa të dobëta janë qeveritë, sa të korruptuara dhe sa të frikësuara mund të jenë,” thotë ai. “Si shoqëri u japim shumë pushtet.”
Po demokracitë perëndimore? “Janë shumë të brishta,” thotë Peck. “Njerëzit nuk e shohin që demokracia e tyre po shembet pak nga pak çdo ditë. Mbani mend Berlusconi-n në Itali? Njerëzit bënin shaka me të. Unë kurrë nuk e mora si shaka. Për mua ishte degradim i demokracisë në Evropë. E dija se një ditë do të vinte edhe në SHBA.”
Peck është shumë i qartë për rrëshqitjen e Amerikës drejt autoritarizmit. “Shikoni Donald Trump. Ai ka 40 gazetarë përpara dhe sulmon njërin prej tyre, një grua, duke e quajtur ‘derkuc’ apo duke i thënë ‘ti nuk buzëqesh kurrë’. Nëse gjithë salla nuk ngrihet dhe largohet, ju po i jepni atij pushtet. Sepse herën tjetër ai e di se mund ta sulmojë secilin nga ju. Kështu funksionon një regjim autoritar. Ai nuk sulmon të gjithë njëherësh – ai zgjedh një person dhe të tjerët tërhiqen.”
Megjithatë, pavarësisht përvojës së tij në politikë dhe vlerësimit të zymtë për Perëndimin, Peck nuk e ka humbur besimin te lëvizjet qytetare. Minutat e fundit të filmit 2+2=5 tregojnë protesta në mbarë botën dhe shembuj të fuqisë së njerëzve për të kapërcyer mjegullën e propagandës dhe udhëheqjes së pandershme.
Ai flet çdo natë me miq në Haiti, duke marrë lajme dhe duke menduar mënyra për të përmirësuar situatën në një vend të përçarë dhe të brishtë.
A janë protestat zgjidhja?
“Nuk do ta quaja zgjidhje,” thotë Peck. “Do të thosha – siç thotë edhe Orwell – se status quo-ja është gjithashtu një pozicion politik; të mos bësh asgjë është po ashtu një deklaratë politike. Pyetja për secilin prej nesh, individualisht dhe kolektivisht, është: cili është vendimi ynë? Sepse nëse nuk angazhohesh, historia do të bëhet pa ty.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
