Last Updated on 11/09/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Administrative për rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Rama shprehet kritik ndaj shpejtësisë me të cilën, sipas tij, Gjykata Administrative ka vepruar për të mundësuar hapjen e fondeve të thesarit për rritjen e pagave, pa kaluar më parë për miratim në Kuvend.
Kryeministri e konsideron të pazakontë faktin që, sipas tij, gjykata ka marrë në një kohë shumë të shkurtër masën e parë të sigurisë për ekzekutimin e aktit, ndërsa mijëra dosje të qytetarëve presin prej vitesh për t’u shqyrtuar.
Rama e cilëson këtë situatë si “tejet turbulluese”, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ekzekutimit të vendimit dhe ndikimin e tij mbi interesin publik.
Në reagimin e tij, Kryeministri argumenton se fondet e thesarit të shtetit duhet të hapen përmes pushtetit legjislativ, duke theksuar se këtë kompetencë e lidh me Kuvendin e Shqipërisë.

Rama njofton gjithashtu se Kuvendi do të shqyrtojë çështjen ditën e enjte, më 17 shtator, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Deklaratat e Kryeministrit vijnë në një moment kur çështja e pagave të gjyqtarëve dhe mënyra e zbatimit të vendimeve përkatëse ka sjellë diskutime mbi kompetencat e institucioneve dhe përdorimin e fondeve publike.
Postimi i plotë:
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator./mxh
