Parlamenti hungarez miratoi sot një paketë reformash ligjore që synon të hapë rrugën për zhbllokimin e miliarda eurove fonde të Bashkimit Evropian, të ngrira prej vitesh për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin gjatë qeverisjes së mëparshme.
Projektligji i paraqitur nga qeveria e kryeministrit të ri, Peter Magyar, u miratua me 142 vota pro, 39 kundër dhe tre abstenime.
Aktualisht, Bashkimi Evropian po mban të bllokuara afro 20 miliardë euro fonde për Hungarinë, për shkak të dyshimeve se gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban një pjesë e këtyre fondeve është keqpërdorur.
Sipas akuzave, paratë kanë përfunduar përmes rrugëve të ndryshme te të afërmit e Orbanit ose te oligarkë të lidhur me qeverinë e tij, ndërsa një pjesë tjetër dyshohet se është përdorur për financimin e aparatit propagandistik të qeverisë së atëhershme.
Paketa e reformave përfshin rregulla më të rrepta për deklarimin e pasurisë nga politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë. Gjithashtu, ajo parashikon shfuqizimin e fondacioneve private të interesit publik të krijuara gjatë qeverisjes së Orbanit, të cilat sipas kritikëve shërbyen për transferimin e fondeve publike drejt përfituesve të afërt me pushtetin.
Ndryshimet prekin edhe sistemin universitar. Rreth dy të tretat e universiteteve hungareze do t’i nënshtrohen reformave, pasi drejtimi i tyre ishte kaluar në duart e bordeve të përbëra nga besnikë të qeverisë së mëparshme, përfshirë politikanë dhe biznesmenë pranë saj.
Për shkak të shqetësimeve për korrupsionin dhe mungesën e transparencës, Bashkimi Evropian kishte përjashtuar këto universitete nga programet Erasmus+ dhe Horizon Europe.
Qeveria e re shpreson se miratimi i këtyre reformave do të bindë institucionet evropiane të lirojnë fondet e ngrira dhe të rikthejnë pjesëmarrjen e plotë të universiteteve hungareze në programet e Bashkimit Evropian./MXH
